Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtorë dy persona, me inicialet A.M. dhe D.K., për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.

Pas pranimit të fajësisë, gjykatësi Samedin Cena i ka shpallur fajtorë të dy të pandehurit, duke i dënuar secilin me nga 3 mijë euro gjobë, të cilën duhet ta paguajnë brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Sipas komunikatës zyrtare të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të pandehurit akuzohen si vijon:
“I pandehuri A.M. akuzohet se ‘… nga data 29.12.2025 deri më datë 01.01.2026, në Qendrën Komunale të Numërimit, e vendosur në palestrën e sporteve ‘Shani Nushi’ në Gjakovë, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më datë 28.12.2025 në Republikën e Kosovës, në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, në nëntë (9) komisione për numërimin e votave, me dashje shton dhe heq votat e kandidatëve për deputetë, në atë mënyrë që…, duke u shtuar kandidatëve për deputetë 428 vota, si dhe duke u hequr kandidatëve për deputetë 682 vota, në total ka keqpërdorur 1 110 vota, me të cilat veprime falsifikon votën’.
Ndërsa, i pandehuri D.K., në kohën dhe vendin e njëjtë, ‘… në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, në gjashtë (6) komisione për numërimin e votave, me dashje shton dhe heq votat e kandidatëve për deputetë, në atë mënyrë që…, duke u shtuar kandidatëve për deputetë 422 vota, si dhe duke u hequr kandidatëve për deputetë 491 vota, në total ka keqpërdorur 913 vota, me të cilat veprime falsifikon votën”.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar.





