Como përgatitet të përballet me gjigantin anglez në kuadër të xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Sinigaglia”, në një mbrëmje të veçantë për klubin dhe tifozët e tij, pranë liqenit të Como.
“E nesërmja do të jetë një tjetër ditë historike për klubin tonë, qytetin dhe tifozët. Manchester Unitedi ka histori të jashtëzakonshme dhe futbollistë të mëdhenj, por ne duhet ta përballojmë këtë sfidë me qetësi dhe ambicie. Duam të garojmë dhe të përpiqemi të fitojmë, si gjithmonë”, ka thënë Fabregas.

Ish-futbollisti spanjoll ka theksuar se Como duhet ta respektojë historinë e kundërshtarit, por të përqendrohet te ajo që do të ndodhë në fushë.
“Historia e tyre meriton respektin më të madh, por ne duhet të përqendrohemi te ajo që do të ndodhë në fushë. Duhet t’i njohim cilësitë e tyre, të përgatitemi mirë dhe të gjejmë mënyrën për t’ua vështirësuar ndeshjen”, ka deklaruar ai.
Fabregas ka thënë se synimi i tij është t’u japë besim futbollistëve dhe se beson në potencialin e skuadrës.
“Ne nuk po e ndërtojmë këtë ekip me kampionë të dëshmuar, por me djem që duan të bëhen kampionë. Para katër vjetësh jetonim një realitet krejtësisht tjetër. Duhet ta kujtojmë prej nga kemi ardhur, të mbetemi modestë dhe të vazhdojmë të rritemi”, ka theksuar trajneri i Como.
Burimi: RTKLive




