Partia Likud e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet e së martës, por blloku i partive opozitare, i udhëhequr nga Gadi Eisenkot, pritet të sigurojë më shumë ulëse në parlament, sipas tri Exit Polleve.

Megjithatë, rezultatet e parashikuara tregojnë se asnjëri prej dy blloqeve nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, ndërsa partitë e udhëhequra nga arabët kanë shënuar rezultat rekord, shkruan jp.
Sipas Exit Pollit, Likudi pritet të fitojë 25 ulëse në Knesset, parlamentin izraelit, ndërsa partia centriste opozitare Yashar, e udhëhequr nga Eisenkot, parashikohet të sigurojë 23 ulëse.
Në total, blloku kundër Netanyahut pritet të fitojë 53 ulëse, ndërsa koalicioni i djathtë dhe fetar i kryeministrit parashikohet të sigurojë 50. Të dyja palët mbeten larg shumicës prej 61 ulësesh, të nevojshme për të formuar qeverinë.
Ndërkohë, partitë e udhëhequra nga arabët, të cilat gjithashtu kundërshtojnë Netanyahun, pritet të fitojnë gjithsej 17 ulëse, një rezultat rekord.
Në vendin e tretë renditet partia opozitare B’Yachad, e udhëhequr nga ish-kryeministri Naftali Bennett, me 14 ulëse, ndërsa Lista e Përbashkët pritet të fitojë 10 ulëse.
Dy parti të vogla, Reservistët dhe Populli i Izraelit, parashikohet të mos e kalojnë pragun zgjedhor prej 3.25 për qind, të nevojshëm për të hyrë në parlament.
Rezultatet e parashikuara pasqyrojnë sondazhet e muajve të fundit, të cilat paralajmëronin se zgjedhjet mund të mos prodhonin një fitues të qartë. Për rrjedhojë, partitë pritet të zhvillojnë negociata në ditët dhe javët në vijim për të siguruar mbështetjen e nevojshme për formimin e qeverisë.
Një nga mundësitë është sigurimi i mbështetjes së partive të udhëhequra nga arabët, të cilat tradicionalisht nuk kanë qenë pjesë e koalicioneve qeverisëse.
Nëse as Netanyahu dhe as kundërshtarët e tij nuk arrijnë të krijojnë një koalicion, Izraeli mund të detyrohet të mbajë zgjedhje të reja, ndërsa Netanyahu do të vazhdonte të qëndronte në detyrë si kryeministër në largim, raporton timesofisrael.
Një situatë e tillë do të rikthente vendin në një cikël të ngjashëm me atë të viteve 2019–2022, kur Izraeli mbajti pesë raunde zgjedhjesh.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e votave dhe pritet të publikojë rezultatet zyrtare. Shifrat përfundimtare mund të dallojnë nga parashikimet e Exit Pollit. /Telegrafi/








