Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka dënuar fuqishëm vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke shprehur ngushëllime për familjarët dhe të gjithë ata që janë në zi për humbjen e saj.
“Femicidi është të shprehurit më ekstrem i dhunës me bazë gjinore dhe shkelje e rëndë e të drejtave themelore të grave. Asnjë grua apo vajzë nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës, dhe çdo grua dhe vajzë që kërkon ndihmë dhe mbrojtje duhet të ketë mundësinë të ketë qasje në mbështetjen dhe mbrojtjen për të cilat ajo ka nevojë”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

EULEX ka theksuar se mbetet i përkushtuar në mbështetjen e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në rrezik, si dhe fuqizimin e qasjes në drejtësi dhe mbështetje për të mbijetuarit.
Sipas EULEX-it, këtu përfshihet përdorimi efektiv i instrumenteve për vlerësimin e rrezikut, zbatimi i urdhrave mbrojtës dhe qasja e koordinuar ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe komuniteteve.
“Parandalimi i femicidit është përgjegjësi e përbashkët që kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe veprim këmbëngulës të vazhdueshëm”, thuhet më tej në reagim.
EULEX ka bërë të ditur se, në përputhje me mandatin e tij, është duke e monitoruar nga afër rastin dhe do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet përkatëse në këto angazhime.
Burimi: RTKLive




