Aktori i njohur turk, Çağatay Ulusoy, ka nisur xhirimet e projektit të tij më të ri televiziv, serialit “Eşref Tek”, i cili pritet të sjellë para publikut një histori të re nga jeta e personazhit të njohur Eşref.

Xhirimet kanë filluar në Qipro, ku Ulusoy është fotografuar në sheshxhirim. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë zbuluar disa momente nga puna për projektin e ri dhe kanë shtuar interesimin e fansave për vazhdimin e kësaj historie.
Seriali do të transmetohet në platformën Prime Video dhe do të përbëhet nga tetë episode. Ngjarjet do të përqendrohen në të kaluarën e Eşrefit dhe do të zbulojnë më shumë për momentet që kanë formësuar jetën e tij, përpara zhvillimeve të njohura për publikun nga seriali “Eşref Rüya”.
Krahas Çağatay Ulusoyt, pjesë e kastit do të jenë edhe Aybüke Pusat, e njohur për rolin e Derinit, si dhe Görkem Sevindik, i cili do të rikthehet në rolin e Kadirit.
Sipas mediave turke, xhirimet në Qipro kanë nisur me skena të zhvilluara në një kazino, ndërsa projektit i janë bashkuar edhe aktorë të tjerë të njohur të kinematografisë turke.
“Eşref Tek” pritet të publikohet gjatë muajit dhjetor, ndonëse data e saktë e premierës ende nuk është bërë e ditur.
Fotografitë e para nga sheshxhirimi kanë zgjuar kureshtjen e fansave, të cilët tashmë presin të zbulojnë më shumë detaje për të kaluarën e Eşrefit dhe historinë që do të sjellë seriali i ri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




