Emigrantja shqiptare Alma Sarelli ka shpallur kandidaturën për Senatin e Shtetit të Connecticutit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka siguruar mbështetjen e Partisë Republikane dhe të Partisë së Pavarur të Connecticutit, ndërsa emri i saj do të jetë në fletën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 3 nëntor 2026.

Sarelli aktualisht mban një post të zgjedhur si anëtare e Takimit Përfaqësues të Qytetit (RTM) në Westport, ku është pjesë e katër komiteteve: Mbrojtjes Publike, Arsimit, Parqeve dhe Rekreacionit, si dhe Planifikimit dhe Zonimit, transmeton Telegrafi.
Përveç angazhimit të saj në institucionet lokale, ajo është aktive edhe në jetën qytetare dhe në sektorin jofitimprurës të qytetit. Për katër vjet ka shërbyer si presidente e organizatës Neighbors & Newcomers of Westport, ndërsa aktualisht është anëtare e bordeve të disa organizatave jofitimprurëse.
Një pjesë e rëndësishme e historisë së saj familjare lidhet edhe me Shqipërinë. Sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare të fushatës së saj, babai i Sarellit është angazhuar në pajtimin e familjeve të përfshira në gjakmarrje në Shqipëri, duke ndërmjetësuar mes tyre dhe duke i ndihmuar të gjenin rrugën drejt paqes.
Sarelli thotë se kjo përvojë ka ndikuar në mënyrën se si ajo e koncepton shërbimin publik, duke vënë në qendër dëgjimin, ndërtimin e besimit dhe gjetjen e pikave të përbashkëta mes njerëzve.
Me kandidaturën për Senatin e Connecticutit, ajo synon të sjellë në politikën shtetërore përvojën e saj si emigrante, sipërmarrëse, nënë, avokate e komunitetit dhe zyrtare e qeverisjes lokale./Telegrafi/




