Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat ndaj operatorëve ekonomikë, punëtorët teknikë të të cilëve kishin hyrë në grevë.

Përmes një postimi në Facebook, Elshani ka bërë të ditur se pagesat janë realizuar gjatë ditës së djeshme, ndërsa tani pret që puna në shkolla dhe çerdhe të rifillojë në përputhje me kontratat dhe marrëveshjen e arritur.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu krijimin e një Task-Force për mbikëqyrjen e higjienës në të gjitha shkollat dhe çerdhet, transmeton Klankosova.tv.
“Në ditët në vijim do të krijojmë një Task-Forcë për mbikëqyrjen e higjienës në çdo shkollë dhe çerdhe, për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve higjieno-sanitare dhe përgjegjësi nga secili operator dhe çdo punonjës i Drejtorisë së Arsimit. Shëndeti i fëmijëve tanë është i panegociueshëm”, deklaroi Elshani.




