Një shtetas suedez, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra të rënda penale që lidhen me narkotikët, është ekstraduar nga Kosova në Suedi.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, e cila njoftoi se ekstradimi u realizua më 21 tetor, në koordinim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet relevante policore.
Sipas njoftimit, personi kërkohej nga institucionet e drejtësisë suedeze për përfshirje në vepra të rënda penale të ndërlidhura me narkotikët.
Policia ka bërë të ditur se ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve kriminale, si dhe të lokalizimit dhe arrestimit të personave të kërkuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




