Një veturë e tipit Tesla, e raportuar e vjedhur në Norvegji më 15 shtator të vitit 2025, është zbuluar në Kosovë gati 13 muaj më vonë. Automjeti ishte ndaluar nga njësia mobile e Doganës së Kosovës më 14 tetor të vitit 2026, ndërsa verifikimet e mëtejshme përmes bashkëpunimit ndërkombëtar kanë konfirmuar se bëhet fjalë për veturën e raportuar si të vjedhur në shtetin norvegjez, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, vetura e tipit Tesla, me ngjyrë të zezë, ishte duke u drejtuar nga një shtetas i Kosovës në momentin kur ishte ndaluar për kontroll nga zyrtarët doganorë më 14 tetor 2026.
Gjatë verifikimeve fillestare, njësia mobile e Doganës kishte konstatuar se automjeti figuronte si i vjedhur në Norvegji.
Vetura më pas ishte dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë, ndërsa për rastin ishte njoftuar Njësia për Hetimin e Autokrimeve.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Zyrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), hetuesit kanë konfirmuar të dhënat për vjedhjen e automjetit.
Tesla ishte raportuar e vjedhur në Norvegji më 15 shtator 2025, rreth orës 10:00, ndërsa ishte zbuluar në Kosovë më 14 tetor 2026, saktësisht 394 ditë më vonë.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti penal për veprën “Vjedhja e rëndë”.
Autorësia e vjedhjes ende mbetet e panjohur, ndërsa nuk është bërë e ditur se kur dhe në çfarë rrethanash automjeti kishte përfunduar në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





