Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është përballur me kërcënime serioze përmes rrjetit social TikTok, ku një person nga fshati Smirë ka publikuar disa video me mesazhe kërcënuese ndaj tij. Pas denoncimeve të përsëritura dhe sigurimit të incizimeve, Policia ka arrestuar 45-vjeçarin, i cili është ndaluar për 48 orë, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi i arrestuar është Safet Hyseni rreth 45 vjeçar, nga fshati Smirë i Vitisë, ndaj të cilit janë ndërmarrë veprime policore pas publikimit të disa videove në TikTok.
Rasti i parë ishte denoncuar më 6 nëntor, rreth orës 11:00, nga Jakup Haxhiu, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Vitisë.
Sipas denoncimit, Hyseni kishte publikuar një video ku dëgjohej duke iu drejtuar kryetarit Haliti me fjalët: “Brenda tri ditësh duhet ta lëshosh vendin.”
Pas raportimit, i dyshuari ishte intervistuar nga Policia dhe me vendim të Prokurorisë ishte liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij ishte iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje”.
Mirëpo, kërcënimet nuk kishin përfunduar me kaq.
Një ditë më vonë, më 7 nëntor, Zyra Ligjore e Komunës së Vitisë i është drejtuar sërish Policisë përmes një shkrese zyrtare, duke njoftuar se i njëjti person po vazhdonte publikimin e videove kërcënuese ndaj kryetarit.
Pas sigurimit të incizimeve të tjera, Policia ka evidentuar një tjetër kërcënim, këtë herë me përmendjen e një arme automatike.
Në njërën prej videove, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Hyseni dëgjohej duke thënë: “Dil në guxofsh në vendin e punës, të ruaj me kallash.”
Pas këtij zhvillimi, njësitë policore kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar 45-vjeçarin.
Me urdhër verbal të Prokurorisë, është kryer kontrolli i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të tij, por nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave, Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e Safet Hysenit për 48 orë, në kuadër të rastit të iniciuar për veprën penale “Kanosje”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




