Një person që fillimisht kishte dhënë deklaratë si dëshmitar për një përleshje të përgjakshme në Mitrovicë, tashmë është në paraburgim si i dyshuar për tentimvrasje. Hetimet kanë marrë një rrjedhë tjetër në rastin ku dy persona ishin plagosur me thikë, ndërsa një polic jashtë detyrës kishte pësuar lëndime teksa përpiqej të ndërhynte.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Gentrit Kajtazin, rreth 25-vjeçar, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, pas zhvillimeve të reja në hetimin e incidentit të 18 shtatorit.
Por ajo që e dallon këtë rast është mënyra se si ka ndryshuar pozita e tij gjatë hetimeve.
Kajtazi, i cili fillimisht ishte trajtuar si dëshmitar, është ftuar më 28 tetor në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ku këtë herë është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për vrasje në tentativë.
Pas intervistimit, ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh, ndërsa një ditë më vonë, më 29 tetor, është paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Gjykata ka vendosur t’ia caktojë paraburgimin prej një muaji, ndërsa Kajtazi është dërguar në Qendrën e Paraburgimit.
Therja në Mitrovicë dhe ndërhyrja e policit jashtë detyrës
Ngjarja për të cilën po hetohet Kajtazi kishte ndodhur më 18 shtator, rreth orës 22:40, në rrugën “Adem Jashari” në Mitrovicën e Jugut.
Atë mbrëmje, Policia ishte njoftuar për një përleshje në zhvillim dhe kishte dërguar njësitë e saj në vendngjarje.
Aty ishin gjetur dy persona me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, në pjesë vitale të trupit.
Të lënduarit kishin marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, për t’u transferuar më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në përpjekje për ta ndalur personin e dyshuar kishte ndërhyrë edhe një zyrtar policor që ndodhej jashtë detyrës, i cili kishte pësuar lëndime të lehta në dorë dhe ishte trajtuar në spital.
Fillimisht u arrestua Granit Fazliu, hetimet çuan edhe te Kajtazi
Për këtë ngjarje, Policia kishte arrestuar fillimisht Granit Fazliun, rreth 19-vjeçar, i cili po ashtu kishte shenja lëndimesh dhe kishte marrë trajtim mjekësor.
Më 19 shtator, Gjykata Themelore në Mitrovicë i kishte caktuar atij masën e paraburgimit prej një muaji.
Megjithatë, hetimet nuk kishin përfunduar me arrestimin e tij.
Pas më shumë se një muaji, hetuesit dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të tjera, që kanë çuar në ndryshimin e pozitës procedurale të Gentrit Kajtazit – nga dëshmitar në të dyshuar për tentimvrasje.
Me vendimin e 29 tetorit, edhe ndaj Kajtazit është caktuar paraburgimi, ndërsa autoritetet vazhdojnë punën për të sqaruar rolin e secilit prej personave të përfshirë në përleshje.
Rasti po hetohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa përgjegjësia individuale e të dyshuarve mbetet për t’u përcaktuar në procedurën penale.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




