Një aksident tragjik ka marrë jetën e një të moshuari në rrugën Podujevë–Prishtinë, ku një veturë Golf ka goditur një karrocë elektrike me tri rrota, të cilën po e drejtonte viktima. Përplasja ka rezultuar fatale, ndërsa shoferi i automjetit është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Isa Llapashtica, rreth 77 vjeç, ndërsa shoferi i dyshuar është Erlind Emini, rreth 20 vjeç.
Aksidenti ka ndodhur të enjten, më 19 nëntor, rreth orës 19:20, në fshatin Penuhë të Podujevës, në rrugën nacionale që lidh Podujevën me Prishtinën.
Sipas informacioneve fillestare, Emini po drejtonte një veturë Volkswagen Golf në drejtim të Prishtinës, kur në afërsi të një biznesi transporti ka goditur një karrocë elektrike trirrotëshe, me ngjyrë të bardhë, e cila ishte në lëvizje.
Karroca përdorej nga një person me aftësi të kufizuara, ndërsa goditja ka qenë fatale për drejtuesin e saj.
Pas aksidentit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur ekipi i emergjencës nga Podujeva, i cili ka konstatuar vdekjen e të moshuarit.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetimeve të trafikut rrugor, patrullat policore, zyrtarë të Stacionit Policor në Podujevë dhe përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit.
Hetuesit kanë nisur ekzaminimin e vendit të ngjarjes për të sqaruar rrethanat në të cilat ka ndodhur përplasja.
Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë i Isa Llapashticës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, shoferi i Golfit, Erlind Emini, është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





