Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e Adnan Podvoricës, personit të dyshuar në rastin e mbi 100 gramëve kokainë të sekuestruar në pikën kufitare të Vërmicës. Ai ndodhej në të njëjtën veturë me Blerta Hysenin, 26-vjeçaren që ndërroi jetë më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë procedurave policore.

Ngjarja ka nisur të dielën, më 15 nëntor, rreth orës 18:00, kur hetuesit e antidrogës kanë ndaluar në Vërmicë një veturë BMW X6, në të cilën ndodheshin Podvorica dhe Hyseni.
Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, e cila ishte e kamufluar në veturë.
Pas ndalimit, të dy personat janë përfshirë në procedurat hetimore lidhur me substancën e sekuestruar.
Gjatë këtyre procedurave, gjendja shëndetësore e 26-vjeçares është përkeqësuar dhe për të është kërkuar ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Hyseni ishte dërguar për ekzaminime mjekësore edhe për shkak të dyshimeve se mund të kishte gëlltitur apo fshehur substanca narkotike në trup.
Megjithatë, nuk është konfirmuar se ajo kishte gëlltitur ndonjë substancë narkotike apo se kjo kishte lidhje me vdekjen e saj.
Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, e reja ka ndërruar jetë në orët e para të së hënës, më 16 nëntor.
Trupi i saj është dërguar për obduksion, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet ende i papërcaktuar.
Ndërkohë, Adnan Podvorica mbetet person i dyshuar në rastin e narkotikëve të sekuestruar në Vërmicë. Përgjegjësia e tij eventuale penale është objekt i hetimeve.
Rasti i vdekjes së 26-vjeçares po hetohet veçmas.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





