Një seancë gjyqësore për një kontest pronësor në Viti ka marrë një rrjedhë të papritur, kur një burrë, i pakënaqur me vendimin e gjyqtares, dyshohet se e ka sulmuar fizikisht në mes të procedurës. Duke këmbëngulur se prona ishte e tij, ai dyshohet se e ka kapur gjyqtaren për krahu, e ka shtrënguar dhe e ka shtyrë disa herë. Incidenti ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe arrestimin e të dyshuarit.

Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e personit të arrestuar për këtë rast, i cili ka ndodhur të mërkurën, më 4 nëntor, rreth orës 14:00, në fshatin Sadovinë e Jerlive të Vitisë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Herion Ymerin, rreth 40-vjeçar, i cili dyshohet se ka sulmuar gjyqtaren Q.S., nga Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Viti.
Në momentin e incidentit, gjyqtarja ndodhej në terren, ku po zhvillonte një seancë në kuadër të një procedure kontestimore lidhur me një çështje pronësore.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Ymeri ishte shprehur i pakënaqur me një vendim të gjyqtares, ndërsa mosmarrëveshja dyshohet se kishte përshkallëzuar në sulm fizik.
“Kjo është prona ime!” – momentet kur dyshohet se u sulmua gjyqtarja
I dyshuari pretendohet se e ka kapur gjyqtaren për krahu, duke ia shtrënguar dhe duke e shtyrë, ndërkohë që këmbëngulte me fjalët: “Kjo është prona ime!”
Sipas burimeve të Sinjalit, veprimet e tilla dyshohet se janë përsëritur dy deri në tri herë, deri në mbërritjen e njësive policore në vendngjarje.
Pas incidentit, gjyqtarja ka marrë trajtim mjekësor dhe ka siguruar raport mjekësor lidhur me gjendjen e saj.
Arrestohet Herion Ymeri, ndalohet për 48 orë
Pas ndërhyrjes së Policisë, për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Herion Ymeri është arrestuar dhe, me vendim të Prokurorisë, ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Me hetimin e rastit po merren hetuesit rajonalë në Gjilan, të cilët po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Rasti mbetet nën hetime, ndërsa përgjegjësia eventuale penale e të dyshuarit do të përcaktohet gjatë procedurës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




