Tri ditë para se të vritej mizorisht në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Sylaj Zekaj ishte përballur me një tjetër situatë të rëndë në shtëpinë ku jetonte. Ish-bashkëshorti i saj kishte refuzuar t’ia hapte derën edhe në prani të Policisë, ndërsa Prokuroria kishte vlerësuar se siguria e saj ishte parësore dhe se nuk ishte e sigurt të qëndronte në atë shtëpi.

Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht një procesverbal zyrtar të Policisë së Kosovës, të datës 22 tetor 2026, i cili zbulon rrethana të reja të trajtimit institucional të rastit të Arlindës, vetëm tri ditë përpara se ajo të gjendej e vrarë në dhomën e gjumit.
Dokumenti, i identifikuar me numrin 2026-DA-SHZ-1453, përshkruan ndërhyrjen e Policisë në shtëpinë në rrugën “Man Dedushaj” në Vitomiricë, ku viktima kishte raportuar se persona të paautorizuar, familjarë të ish-bashkëshortit, po qëndronin në pronën e përbashkët.
Në ankesën e saj, Arlinda kishte ngritur edhe çështjen e një vendimi gjyqësor lidhur me kujdestarinë e fëmijës, i cili, sipas saj, ende nuk ishte zbatuar.
Por ajo që zbulon procesverbali është edhe më shqetësuese.
Në mbrëmjen e 22 tetorit, rreth orës 21:27, Policia e kishte shoqëruar Arlindën drejt shtëpisë së saj. Porta ishte e mbyllur, ndërsa ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, kishte refuzuar ta hapte.
Sipas përshkrimit në dokument, Jeton Sylaj kishte kundërshtuar hapjen e portës, duke u arsyetuar se në aktvendimin gjyqësor nuk ishte përcaktuar që ai duhej t’ia hapte atë ish-bashkëshortes.
Në procesverbal përshkruhet se ai kishte deklaruar se viktimën nuk do ta ndalonte të hynte në shtëpi, por vetë nuk do ta hapte portën.
Kjo situatë kishte sjellë një tjetër ndërhyrje dhe konsultim me Prokurorinë e Shtetit.
Dokumenti zyrtar evidenton se, pas vlerësimit të rrethanave, siguria e Arlindës ishte konsideruar parësore dhe ishte vlerësuar se nuk ishte e sigurt që ajo të qëndronte në atë shtëpi.
Në procesverbal thuhet se, për shkak të pranisë së familjarëve të ish-bashkëshortit dhe situatës së krijuar, Prokuroria kishte udhëzuar që Arlinda të shkonte te vëllezërit e saj.
Madje, sipas dokumentit, vëllezërit ishin paraqitur në Stacionin Policor në Pejë dhe kishin shprehur gatishmërinë që ta merrnin motrën në shtëpinë e tyre.
Pas komunikimeve në prani të hetuesve dhe zyrtarëve policorë, atë mbrëmje Arlinda ishte larguar drejt shtëpisë së vëllezërve në fshatin Radac të Pejës.
Pra, më 22 tetor, institucionet kishin dokumentuar një situatë në të cilën qëndrimi i saj në shtëpi ishte vlerësuar si i pasigurt.
Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, Arlinda do të përjetonte natën e fundit të jetës së saj.
Atë mbrëmje, ajo ishte dërguar përsëri në Stacionin Policor në Pejë, ku ishte intervistuar lidhur me një rast të dhunës në familje.
Rreth orës 20:58, patrulla policore e kishte kthyer në shtëpinë në Vitomiricë.
Afërsisht dhjetë minuta pas largimit të patrullës, Policia kishte marrë informacionin për vrasjen.
Arlinda ishte gjetur pa shenja jete në dhomën e gjumit, ndërsa sipas dyshimeve fillestare, kunati i saj, Albert Sylaj, e kishte goditur me sëpatë në kokë.
Procesverbali i 22 tetorit ngre një pyetje thelbësore: Çfarë kishte ndryshuar brenda tri ditësh që Arlinda, siguria e së cilës ishte vlerësuar e rrezikuar në atë shtëpi, u kthye përsëri aty mbrëmjen kur u vra?
A ishte bërë një vlerësim i ri i rrezikut? A ishin larguar personat për praninë e të cilëve ajo kishte paraqitur ankesë? A ishte verifikuar zbatimi i urdhrit gjyqësor dhe i masave të mbrojtjes? Kush e kishte vlerësuar të sigurt kthimin e saj?
Përgjigjet për këto pyetje nuk dalin nga procesverbali i 22 tetorit dhe kërkojnë verifikim të veprimeve që institucionet ndërmorën gjatë tri ditëve të fundit të jetës së saj.
Ndërkohë, në të njëjtën datë, 22 tetor, Arlinda kishte dorëzuar edhe një letër urgjente në Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes së cilës kërkonte ndërhyrje institucionale dhe ekzekutimin e një urdhri gjyqësor.
“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, duke shprehur frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.
Tri ditë më vonë, frika e saj për jetën përfundoi në tragjedi.
Dokumenti i siguruar nga Sinjali nuk provon vetvetiu përgjegjësinë penale apo disiplinore të ndonjë zyrtari. Megjithatë, ai dokumenton se autoritetet kishin qenë të njoftuara për rrethana konkrete të rrezikut dhe se më 22 tetor ishte marrë vendim që viktima të qëndronte te familjarët e saj, në vend se të kthehej në shtëpi.
Në rastin e Arlindës, pyetja tashmë nuk është vetëm kush ia mori jetën. Një pyetje po aq e rëndësishme për hetimin institucional është se si u trajtua rreziku që ishte dokumentuar përpara se ajo të vritej.
Gazeta Sinjali do të kërkojë sqarime nga institucionet përgjegjëse lidhur me vlerësimin e rrezikut, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe rrethanat e kthimit të viktimës në shtëpi mbrëmjen e 25 tetorit.
Burimi: Sinjali




