Një kontroll i papritur nga hetuesit e antidrogës në Gjakovë ka përfunduar me sekuestrimin e marihuanës dhe ndalimin e një të riu, pasi në shtëpinë e tij u gjetën substanca të dyshuara narkotike.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Sarmand Cufën, rreth 26-vjeçar, në pronën e të cilit hetuesit kanë zhvilluar kontroll të enjten, më 29 tetor, rreth orës 16:40.
Operacioni është realizuar në rrugën “Elez Miftari”, ku njësia antidrogë, pas sigurimit të autorizimit përkatës, ka kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse.
Gjatë bastisjes, hetuesit kanë gjetur një pako plastike me 14.65 gramë substancë të dyshuar marihuanë, si dhe një joint me peshë 0.94 gramë.
Të dyja janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa Cufa është shoqëruar në zyrat e hetuesve të antidrogës për intervistim.
Por për të riun, procedurat nuk kanë përfunduar me marrjen e deklaratës.
Pas konsultimit me organet kompetente, është marrë vendim që ai të ndalohet për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Substancat e sekuestruara do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejshme të ekzaminimit, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga autoritetet kompetente.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




