“Edhe sa Arlinda?”, qytetarët protestojnë në Pejë, kërkojnë përgjegjësi nga Policia, Gjykata dhe Prokuroria

“Edhe sa Arlinda?”, qytetarët protestojnë në Pejë, kërkojnë përgjegjësi nga Policia, Gjykata dhe Prokuroria

“Edhe sa Arlinda?”, qytetarët protestojnë në Pejë, kërkojnë përgjegjësi nga Policia, Gjykata dhe Prokuroria

Qytetarë dhe aktivistë nga qytete të ndryshme të Kosovës kanë protestuar të premten në Pejë, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Sponsor 3M Express

Me thirrjet “Edhe sa Arlinda?”, “Drejtësi për Arlindën” dhe “Komuna e Pejës i ka duart me gjak”, protestuesit kërkuan llogaridhënie nga institucionet që kishin trajtuar rastin e viktimës para vrasjes së saj.

Protesta nisi para Komunës së Pejës, ku aktivistja Filiza Mahmutaj kërkoi përgjegjësi nga i gjithë zinxhiri institucional, përfshirë Policinë, Prokurorinë, Gjykatën dhe Qendrën për Punë Sociale.

“Bashkë me aktivistët në mbarë Kosovën, ne po kërkojmë që përgjegjësia të kërkohet nga i gjithë zinxhiri institucional, i cili e ka neglizhuar, injoruar dhe, përfundimisht, e ka lënë të pambrojtur Arlindën: nga Policia te Prokuroria, nga Prokuroria te Gjykata”, deklaroi Mahmutaj.

Ajo ngriti edhe disa pyetje lidhur me veprimet e Qendrës për Punë Sociale në Pejë, duke kërkuar sqarime për vlerësimin e rrezikshmërisë së rastit, mundësinë e strehimit të përkohshëm të viktimës dhe mosorganizimin e një takimi urgjent të mekanizmave koordinues kundër dhunës.

Ndërkaq, aktivistja Erza Elezaj kritikoi Policinë e Pejës për mënyrën e trajtimit të rastit.

“Ne sot nuk jemi mbledhur për të kërkuar mëshirë e as ngushëllime. Jemi mbledhur për t’ia kujtuar Policisë se ata janë fajtorë, ata janë fajtorë që Arlinda nuk është në mesin tonë”, u shpreh Elezaj.

Ajo shtoi se Arlinda Zekaj nuk është rasti i parë dhe se, pa ndryshime në veprimet institucionale, nuk ka garanci që raste të tilla nuk do të përsëriten.

Marshi vazhdoi drejt Gjykatës Themelore në Pejë, ku Nora Taraku ngriti shqetësime për vendimin e 16 tetorit 2026 lidhur me masat mbrojtëse për Arlinda Zekajn.

Taraku kritikoi vendimin e gjyqtarit Migjen Kastrati, duke pretenduar se ai ishte kontradiktor dhe nuk ofronte mbrojtjen e nevojshme për viktimën.

“Pse u largua Arlinda nga shtëpia e saj dhe u dërgua përsëri te dera e dhunuesit, në vend që të largohej kërcënuesi?”, ishte një nga pyetjet e ngritura prej saj.

Protesta përfundoi para Prokurorisë Themelore në Pejë, ku Elena Morina ngriti shqetësime për mënyrën e trajtimit të rastit nga organet e prokurorisë.

Ajo pretendoi se fëmija i Arlindës ishte intervistuar pa praninë e psikologut apo të një personi të licencuar nga Qendra për Punë Sociale.

“Prokurorja Suada Rama Hamza e intervistoi fëmijën e Arlindës pa asnjë psikolog apo të një personi të licencuar nga QPS-ja. Kur Arlinda paraqiti ankesë te kryeprokurorja Lumturie Vuçetaj, kjo e fundit e refuzoi atë”, deklaroi Morina.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.

Para vrasjes, Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet dhe kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj. Në një parashtresë drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë, më 22 tetor, ajo kishte shkruar: “Uroj të mos jepni llogari pasi të më merret jeta”.

Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe protesta në disa qytete të Kosovës, ndërsa janë ngritur dyshime për neglizhencë të mundshme institucionale në trajtimin e kërkesave të saj për mbrojtje.

Pas rastit, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, ndërsa janë raportuar edhe masa ndaj zyrtarëve të sistemit prokurorial. Po ashtu, Kuvendi ka themeluar një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësinë dhe veprimet institucionale.

Protestuesit kërkojnë që rasti të hetohet në tërësi dhe që të gjithë personat përgjegjës, nëse konstatohet përgjegjësi, të japin llogari para drejtësisë. /Kp/

Lexo edhe

Një protestues sulmohet fizikisht gjatë protestës në Pejë, arrestohen dy persona

Një protestues sulmohet fizikisht gjatë protestës në Pejë, arrestohen dy persona

FSK dhe ushtria shqiptare zhvillojnë trajnim të përbashkët në fushën e Kërkim-Shpëtimit Malor

FSK dhe ushtria shqiptare zhvillojnë trajnim të përbashkët në fushën e Kërkim-Shpëtimit Malor

Emigrantja shqiptare Alma Sarelli kandidon për Senatin e Shtetit të Connecticutit

Emigrantja shqiptare Alma Sarelli kandidon për Senatin e Shtetit të Connecticutit