Kenia ka regjistruar vdekjen e dytë nga Ebola, ndërsa vendi po përballet me shpërthimin e parë të kësaj sëmundjeje në historinë e tij.

Ministria e Shëndetësisë e Kenias njoftoi se viktima e dytë është një grua 65-vjeçare, e afërme e viktimës së parë, një burri që kishte udhëtuar nga Republika Demokratike e Kongos.
Sipas autoriteteve shëndetësore, gruaja ka vdekur pasi ishte vendosur në karantinë, raporton BBC.
Ndërkohë, shtatë pacientë të tjerë të infektuar me Ebola po marrin trajtim në dy qendra izolimi. Sipas BBC-së, në mesin e tyre janë tre të afërm të tjerë të viktimës së parë, tre punonjës shëndetësorë dhe një punonjës pastrimi në spital.
Shpërthimi i sëmundjes në rajon ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi më shumë se 4,000 persona kanë vdekur në Afrikë që nga konfirmimi i Ebola-s në Republikën Demokratike të Kongos, në muajin maj. Ky shpërthim është cilësuar si i dyti më vdekjeprurës i sëmundjes.
Ebola është një sëmundje e rrallë, por potencialisht vdekjeprurëse, e shkaktuar nga një virus. Simptomat mund të përfshijnë të vjella dhe diarre, të cilat në rastet e rënda mund të çojnë në dështimin e organeve. Disa pacientë mund të përjetojnë edhe hemorragji të brendshme ose të jashtme.
Autoritetet shëndetësore po vazhdojnë trajtimin e pacientëve të infektuar dhe masat e izolimit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




