Një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident në vendin e punës në Valtopina të Italisë. Rogert Ajdini, i cili banonte në Trevi, ishte duke punuar në asfaltimin e rrugës Santa Cristina, kur dyshohet se u shtyp nga rulit asfaltues që po drejtonte.

Sipas mediave italiane, mjeti i rëndë dyshohet se është përmbysur për arsye që ende nuk janë bërë të ditura. Kolegët e të riut kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës, por plagët e marra kanë rezultuar fatale.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ambulanca, zjarrfikësit dhe helikopteri i shpëtimit. Megjithatë, ekipet e emergjencës nuk kanë arritur ta shpëtojnë 20-vjeçarin.
Pas aksidentit, karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përmbysjen e mjetit të rëndë.
Punimet në rrugën Santa Cristina ishin ndërmarrë nga Bashkia e Valtopinës në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe i ishin besuar një kompanie të specializuar.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Kryetari i Bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, ka shprehur ngushëllimet për familjen e të riut, duke e cilësuar humbjen e tij si një tragjedi të rëndë.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e aksidentit fatal që i mori jetën të riut shqiptar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




