Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në kuadër të hetimeve për rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Në përgjigjen për Telegrafin, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se intervistimi është zhvilluar lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Tutje, Prokuroria Speciale ka theksuar se është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Intervistimi në cilësinë e të pandehurit nuk nënkupton se ndaj Ramës është ngritur aktakuzë apo se ai është shpallur fajtor. /Telegrafi/




