“E kërcënonte se nuk do ta shihte më vajzën” – Çfarë rrëfeu babai i Dianës në prokurori?

“E kërcënonte se nuk do ta shihte më vajzën” – Çfarë rrëfeu babai i Dianës në prokurori?

“E kërcënonte se nuk do ta shihte më vajzën” – Çfarë rrëfeu babai i Dianës në prokurori?

Gëzim Kastrati, babai i Diana Kastratit, në deklaratën e dhënë para Prokurorisë për rastin e vrasjes së vajzës së tij, ka rrëfyer për përkeqësimin e raporteve mes vajzës së tij dhe të pandehurit Adnon Jashari. Dhunën që, sipas tij, ajo kishte përjetuar për dy vjet dhe përpjekjet e familjes për të kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Sponsor 3M Express

Ai ka deklaruar se para vrasjes, Diana ishte detyruar të ndërpriste bashkëjetesën me Jasharin, pasi, sipas tij, ai vazhdimisht ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj.

“Gjatë dy viteve të fundit, i pandehuri vazhdimisht e ka maltretuar fizikisht dhe psikikisht, ashtu që vajza ka qenë e detyruar ta lajmërojë në organet kompetente dhe janë udhëhequr edhe procedura gjyqësore”, ka deklaruar Gëzim Kastrati në Prokurorinë themelore në Prishtinë.

Babai i viktimës ka thënë se familja kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet për të parandaluar presionin dhe dhunën ndaj Dianës.

Sipas tij, njëra nga kërkesat për mbrojtje ishte paraqitur në prill të vitit 2011, por ai pretendon se gjykata nuk kishte vepruar për të parandaluar rrezikun.

“Një ndër këto masa është edhe urdhri për mbrojtje emergjente. Kërkesa është bërë më datë 26.04.2011, për të cilën gjykata nuk ka vepruar me qëllim të parandalimit të këtij”, ka deklaruar ai.

Kastrati ka treguar se, si prind, kishte qenë në kontakt edhe me Qendrën për Punë Sociale dhe institucionet e tjera kompetente, me shpresën se do të parandalohej dhuna ndaj vajzës së tij.

Kërcënimet një ditë para vrasjes

Në deklaratën e tij, Gëzim Kastrati ka përshkruar edhe atë që, sipas tij, kishte ndodhur një ditë para vrasjes së Dianës.

Ai ka thënë se Jashari vazhdimisht i dilte vajzës në rrugë dhe tentonte ta merrte me dhunë për ta kthyer në shtëpi. Një ditë para ngjarjes, sipas tij, ai e kishte kërcënuar Dianën se nuk do ta shihte më vajzën e saj nëse nuk kthehej tek ai.

“Një ditë para se me ndodhë ngjarja, pasi që ai vazhdimisht i dilte në rrugë dhe tentonte me e marrë me dhunë, i kishte dalë në rrugë dhe ka tentuar ta dërgojë në shtëpi, duke e kërcënuar se nuk do ta shohë vajzën dhe nuk do të kontaktojë më me të”, ka deklaruar Kastrati.

Ai ka treguar se kërcënimi i fundit që Jashari i kishte dërguar Dianës përmes telefonit kishte të bënte pikërisht me ndërprerjen e kontaktit me vajzën e saj.

“Mesazhi i fundit që ia ka dërguar në telefon ka qenë që ‘nuk ka me pa dhe as me kontaktu me vajzën e saj’”, ka deklaruar babai i viktimës.

Si e përshkroi ditën e vrasjes?

Gëzim Kastrati ka treguar se mëngjesin e 18 majit 2011, Diana ishte zgjuar rreth orës 9:15, ndërsa rreth orës 9:45 ishte larguar nga shtëpia për të shkuar në Fakultetin e Mjekësisë, ku duhej të merrte një nënshkrim.

Fillimisht, ajo kishte planifikuar të ndalej në ambulancë për t’u takuar me një shoqe dhe më pas të vazhdonte drejt fakultetit.

Sipas informacioneve që ai thotë se i posedonte, në rrugë i kishte dalë Jashari, i cili kishte tentuar ta fuste me dhunë në veturën e tij.

“Në ato momente ai ka dalë në rrugë dhe, sipas informacioneve që posedoj unë, ai kishte tentuar ta fusë me dhunë në veturën e tij dhe kur ajo e refuzon, ai pastaj e ka kryer aktin”, ka deklaruar Kastrati para Prokurorisë.

Në fund të deklaratës së tij, babai i Dianës ka përmendur edhe personat që, sipas tij, mund të kenë parë drejtpërdrejt momentin e vrasjes.

Ai ka thënë se punëtorët e një shitoreje të plastikës, që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes, mund të kenë qenë dëshmitarët më të rëndësishëm për të sqaruar se si kishte ndodhur vrasja.

Gëzim Kastrati ka folur edhe për shenjat e dhunës në trupin e vajzës së tij, duke përmendur hematomat që, sipas tij, ishin vërejtur pas vrasjes.

“Po ashtu vërehen edhe disa hematoma në trupin e Dianës, nga kjo vërehet se ai ka bërë dhunë ndaj saj”, ka përfunduar ai.

Blerta Ahmeti

Lexo edhe

400 kilometra mbi Tokë, tre astronautë amerikanë votojnë në gjedhjet e mesmandatit në SHBA

400 kilometra mbi Tokë, tre astronautë amerikanë votojnë në gjedhjet e mesmandatit në SHBA

Costa: Kosova mund të përparojë dhe të përshpejtojë reformat drejt BE-së

Costa: Kosova mund të përparojë dhe të përshpejtojë reformat drejt BE-së

“Rrehe ku s’i shihen shenjat” – Rrëfimi i gruas që ish-bashkëshorti ia vrau dy vëllezërit

“Rrehe ku s’i shihen shenjat” – Rrëfimi i gruas që ish-bashkëshorti ia vrau dy vëllezërit