Një grua në Kamenicë ka përfunduar duke kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është sulmuar brutalisht nga bashkëshorti i saj, i cili, i nxitur nga xhelozia dhe dyshimet për tradhti, e ka goditur me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 28 tetor, rreth orës 11:00, në fshatin Karaqevë e Poshtme, brenda shtëpisë ku jetonte çifti.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka ka nisur me një konflikt verbal mes bashkëshortëve, gjatë të cilit i dyshuari N.K. 52 vjeçar e ka akuzuar bashkëshorten e tij, G.K. 43 vjeçare, për tradhti bashkëshortore.
Përplasja dyshohet se ka përshkallëzuar në dhunë fizike, kur burri ka nisur ta godasë gruan me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas incidentit, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe ka pranuar trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.
Rasti është marrë në trajtim nga Policia dhe, pas konsultimeve me organet kompetente, është iniciuar procedura për veprën penale “Dhuna në familje”.
Ndaj bashkëshortit të dyshuar është marrë vendim për ndalim deri në 48 orë, ndërsa rrethanat e rastit do të trajtohen në procedurat e mëtejshme.
Shënim: Identitetet janë publikuar vetëm me iniciale për mbrojtjen e privatësisë së personave të përfshirë në rastin e dhunës në familje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




