Aktori i njohur shqiptar, Bes Kallaku, ka reaguar pas plagosjes së 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Përmes një postimi në Instagram, Kallaku ka bërë të ditur se Vishkulli është mik i tij i afërt, duke shprehur shqetësimin për gjendjen shëndetësore të tij.
Aktori e ka përshkruar të riun si një nga djemtë më të mirë që ka njohur, ndërsa ka theksuar se ai kishte marrë pjesë në protestë për bindjet dhe vlerat e tij patriotike.
Erjon Vishkulli, 28-vjeçar, sipas raportimeve, pësoi dëmtime të rënda në sy, pasi dyshohet se u godit nga një plumb gome gjatë përplasjeve në protestë.
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ndërkohë, pretendimet se i riu mund ta ketë humbur syrin nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë, Vishkulli ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por vijon ekzaminimet dhe trajtimin mjekësor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




