Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetase të huaj, e dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, pasi dyshohet se përmes një autorizimi të falsifikuar kishte arritur të shiste prona në Kosovë që ishin në emër të xhaxhait të saj.

Sipas njoftimit të Policisë, e dyshuara kishte siguruar një autorizim te një noter jashtë Kosovës, duke paraqitur një person të panjohur me të dhënat personale të xhaxhait të saj, por me fotografinë e personit tjetër.
Përmes këtij dokumenti, ajo dyshohet se kishte krijuar përshtypjen se ishte autorizuar nga xhaxhai për t’i shitur pronat e tij në Kosovë.
Hetimet kanë zbuluar se e dyshuara kishte tentuar disa herë të shiste parcela në pronësi të xhaxhait, ndërsa në dy raste kishte arritur t’i realizonte shitjet. Në rastin e fundit, sipas Policisë, ajo kishte shitur një parcelë në vlerë prej rreth 150 mijë eurosh.
Policia ka bërë të ditur se e dyshuara fillimisht ishte paraqitur në stacionin policor në cilësinë e ankueses për një rast tjetër. Pas përfundimit të procedurave lidhur me ankesën e saj, hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare e kanë intervistuar në cilësinë e të dyshuarës, në prani të avokatit mbrojtës.
Hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetime Financiare në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave hetimore, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarës për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprat penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323, dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas nenit 395 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/




