Dy persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur nga një sulm në aeroportin ndërkombëtar King Fahd, në qytetin e Damamit, në lindje të Arabisë Saudite, të mërkurën në mbrëmje, njoftoi Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite (GACA).
Sipas autoriteteve, në mesin e viktimave janë një shtetas saudit dhe një shtetas indian që jetonte në vend. Të plagosurit janë shtetas të Arabisë Saudite, Indisë, Jemenit, Bangladeshit dhe Nepalit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje për natyrën e sulmit. Megjithatë, lëvizja Houthi në Jemen, e mbështetur nga Irani, ka kryer vazhdimisht sulme me dronë dhe raketa ndaj aeroporteve saudite.
Të mërkurën në mëngjes, dy persona të tjerë u vranë nga mbetjet e një droni të shkatërruar mbi Provincën Lindore, ku ndodhet edhe qyteti i Damamit, njoftoi Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite.
Sipas ministrisë, droni po tentonte të godiste një objekt përpunimi në pronësi të kompanisë shtetërore të naftës Aramco, në fushën naftëmbajtëse Shaybah. Gjatë incidentit, një automjet i një kompanie kontraktuese mori flakë. Viktimat u identifikuan si shtetas të Filipineve dhe Nepalit.
Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë jemenase në luftën kundër Houthive, njoftoi se katër dronë të tjerë u interceptuan të mërkurën në mbrëmje.
Houthitë nuk kanë komentuar menjëherë për sulmin në aeroport. Në raste të mëparshme, ata kanë deklaruar se sulmojnë aeroportet, objektet energjetike dhe bazat ushtarake saudite si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore saudite në territoret që kontrollojnë në Jemenin perëndimor.
Sipas autoriteteve saudite, të paktën 21 persona janë vrarë nga sulmet e Houthive ndaj aeroporteve të Arabisë Saudite që nga fillimi i tetorit.
Një sulm me raketë ndaj aeroportit ndërkombëtar të Riadit, më 10 tetor, la 13 të vrarë dhe 308 të plagosur. Autoritetet e kanë cilësuar atë si sulmin më vdekjeprurës në Arabinë Saudite në më shumë se një dekadë.
Të mërkurën, zëdhënësi ushtarak i Houthive deklaroi se grupi kishte shënjestruar pajisje ushtarake në një aeroport në qytetin jugor jemenas të Al-Mukallas. Sipas tij, pajisjet ishin transportuar nga Arabia Saudite për t’u përdorur nga forcat proqeveritare.
Ndërkohë, mediat e kontrolluara nga Houthitë raportuan se të paktën gjashtë persona ishin vrarë dhe 11 të tjerë ishin plagosur nga sulmet ajrore dhe artilerike gjatë 24 orëve paraprake.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Houthitë, 155 civilë janë vrarë që kur lufta civile në Jemen u përshkallëzua, tre muaj më parë. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë e qeverisë jemenase ka raportuar të paktën 1,574 të vrarë gjatë së njëjtës periudhë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se më shumë se 256 mijë persona janë zhvendosur si pasojë e konfliktit.
Burimi: Dukagjini




