Gati dy javë pas vrasjes së 29-vjeçarit Bajram Arifi në fshatin Pogragjë të Gjilanit, nuk ka zhvillime të reja në rastin ku i dyshuar është babai i tij, Ramiz Arifi, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Më 11 tetor, 29-vjeçari mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa i dyshuari dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit Suzuki.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë informacione lidhur me zhvillimet e fundit në këtë rast.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për Sinjalin se i dyshuari ende nuk është arrestuar.
“Nuk ka asnjë zhvillim të ri”, tha ai për Sinjalin
Sipas informacioneve të raportuara më herët nga burimet e Sinjalit, ngjarja dyshohet se ndodhi rreth orës 19:30, kur Bajram Arifi dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga babai i tij.
Policia po vazhdon kërkimet për lokalizimin e të dyshuarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në zhvillim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




