Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, ka arritur fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës, duke e mposhtur me rezultat 0-3.
Skuadra gjilanase zhvilloi një paraqitje të sigurt dhe efikase në kryeqytet, duke dëshmuar epërsinë në fushë dhe duke u larguar me pikët e plota nga kjo përballje.

Drita kaloi në epërsi me anë të Blerim Krasniqit, i cili realizoi një gol të bukur pas asistimit të kapitenit Besnik Krasniqi.
Kampionët vazhduan të ishin kërkues edhe në pjesën e dytë, ndërsa epërsinë e dyfishuan në minutën e 63-të. Liridon Balaj përfitoi nga asistimi i Jasharit për ta dërguar topin në rrjetë dhe për ta afruar Dritën drejt fitores.
Rezultatin përfundimtar 0-3 e vendosi Kemehlo Nguena në minutën e 85-të, me një goditje të fuqishme dhe spektakolare, ndaj së cilës portieri i Prishtinës nuk pati mundësi të reagonte.
Me këtë fitore, Drita ngjitet në pozitën e tretë të tabelës me 20 pikë, tri më pak se Prishtina, e cila mbetet në vendin e dytë.
Ndërkohë fitore tejet të rëndësishme ka arritur edhe Feronikeli ’74 që mposhti bindshëm Dukagjinin, me rezultat 3-0.
Skuadra vendase zhvilloi një paraqitje të mirë, duke kontrolluar lojën dhe duke shfrytëzuar rastet për të siguruar tri pikë të rëndësishme në kampionat.
Golin e epërsisë për Feronikelin ’74 e realizoi Albin Prapashtica në minutën e 30-të. Pas një aksioni të shpejtë, sulmuesi u tregua i saktë, duke e dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1-0.
Vendasit e nisën fuqishëm edhe pjesën e dytë, duke e thelluar epërsinë brenda vetëm tri minutash. Noah Yannick shënoi në minutën e 46-të për 2-0, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, Prapashtica realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për ekipin e tij, duke vulosur fitoren.
Në vazhdim, Feronikeli ’74 e menaxhoi epërsinë deri në fund, duke mos lejuar që Dukagjini të rikthehej në lojë.
Me këtë fitore, skuadra nga Drenasi arrin në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Dukagjini mbetet në pozitën e pestë me 17 pikë.
Burimi: RTKLive




