Këshilli i nxënësve të Shkollës Ekonomike dhe të shkollave të tjera të mesme në Pejë, kanë zhvilluar sot një protestë para objektit të Gjykatës Themelore në këtë qytet, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie institucionale lidhur me rastin tragjik të Arlinda Zekajt.

Gjithashtu, në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe qytetarë të tjerë.
Gazetarja e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti, ka raportuar lidhur me këtë aktivitet, ku protestuesit kanë mabjtur pankarta në duar, duke bërë thirrje për reagim të menjëhershëm të organeve të rendit e të drejtësisë.
Gjithashtu, të rinjtë kanë shprehur indinjatën e tyre të thellë ndaj mënyrës se si trajtohen rastet e dhunës në familje dhe dështimit të hallkave mbrojtëse institucionale.
Protestuesit kanë theksuar se zëri i rinisë po ngrihet për të mos lejuar që raste të tilla të kalojnë në heshtje apo të trajtohen me procedura të zvarritura burokratike.




