Momente frike dhe tensioni janë përjetuar mbrëmë në marketin “Prokshi” në Drenas, ku një person dyshohet se ka hyrë me thikë në dorë, duke kanosur dhe rrezikuar personat që ndodheshin brenda lokalit. Situata ka përshkallëzuar deri në ndërhyrjen e disa personave për ta neutralizuar të dyshuarin, ndërsa njëri prej tyre ka pësuar lëndime në dorë.

Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari është Rajmond Kurtaj, rreth 49-vjeçar, ndërsa viktima është Q.P, 27-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 23 tetor 2026, rreth orës 21:50, në rrugën “Adem Mulaj”, ku Policia është njoftuar se një person i armatosur me thikë po rrezikonte personat brenda marketit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Kurtaj dyshohet se kishte hyrë në lokal dhe i ishte drejtuar Q.P me fjalët:
“Kur ta krysh punën, zatetum unë e ti dhe e sqarojmë këtë punë.”
Pas këtyre fjalëve, i dyshuari kishte nxjerrë një thikë, duke shkaktuar shqetësim dhe rrezik për personat e pranishëm.
Situata ka marrë tjetër rrjedhë kur në lokal ka mbërritur Driton Prokshi, i cili ishte njoftuar për incidentin.
Ai, së bashku me D.Gj., dhe Q.P, kanë arritur ta neutralizojnë të dyshuarin dhe t’ia largojnë thikën.
Gjatë përpjekjes për t’ia marrë armën e ftohtë, Q.P ka pësuar lëndime në dorën e majtë.
Kur patrulla policore ka mbërritur në vendin e ngjarjes, i dyshuari është hasur duke bërtitur. Zyrtarët policorë e kanë ndaluar dhe i kanë vendosur prangat për shkaqe sigurie.
Edhe Kurtaj ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa gjatë procedurave policore ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit, me 1.68 promilë.
Për shkak të gjendjes së tij, i dyshuari nuk është intervistuar në atë fazë, ndërsa deklaratat janë marrë nga viktima dhe dëshmitarët.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj Kurtajt është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




