Gazetari Besnik Tahiri ka deklaruar në emisionin Rubikon se ka informacione për zhdukjen dhe djegien e disa dosjeve të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).

Sipas Tahirit, në tri ditët e fundit, para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, kanë dalë informacione për djegien e dosjeve të caktuara të këtij institucioni.
Ai ka thënë se njëra prej dosjeve më të rëndësishme për Kosovën është ajo që, sipas tij, njihet si “Dosja veriu”, e cila përmban të dhëna për financimin nga shteti serb të grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë.
“Dosja kritike që është për Republikën e Kosovës quhet ‘Dosja veriu’. Kjo dosje përmban krejt të dhënat dhe financimin që ia ka bërë shteti i Serbisë grupit të Banjskës, grupit paramilitar që ka kryer aktin e agresionit”, ka deklaruar Tahiri në Rubikon të Klan Kosovës.
Gazetari ka shprehur shqetësimin se pushteti i ri në Serbi mund të shmangë trajtimin e kësaj çështjeje, në mënyrë që të mos dalin në pah, siç pretendon ai, dëshmi dokumentare për përfshirjen e shtetit serb në organizimin e sulmit në Banjskë.
“Ky pushteti i ri nuk ka me mbyllë vetëm njërin sy, por ka me i mbyllë të dy sytë kur vjen rasti te dosja e Banjskës, për shkak se nuk e qesin shtetin e vet e me tregu edhe me dokumentacion se janë organizatorë të aktit të agresionit në Banjskë”, ka thënë Tahiri në Rubikon. /Klankosova.tv




