Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë për kanosje ndaj Jeton Sylajt më 23.10.2026, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, tri ditë para se ajo të vritej nga i dyshuari, Albert Sylaj, kunati i viktimës.

KALLXO ka siguruar aktakuzën ku janë përshkruar deklarimet e Arlinda Zekajt, të cilat i kishte bërë gjatë muajit korrik 2026 në Stacionin Policor në Pejë.
Gjatë deklarimeve para hetuesve policorë, tashmë e ndjera Arlinda Zekaj ka deklaruar se ish-bashkëshorti i saj posedonte armë me leje e po ashtu, gjatë kohës sa kishin jetuar në Amerikë, e kishte denoncuar për dhunë psikike.
Viktima e rastit tragjik në Pejë kishte treguar në detaje për kërcënimet që kishte pranuar nga tani i akuzuari, Jeton Sylaj. Sipas Arlinda Zekajt, ish-bashkëshorti e kërcënonte në vazhdimësi.
“Kam me të mbytë, kam me të ngreh zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime, kur**, kud**, rrugaçe, ki me flejt në sokak, s’ki me pa më djalin nëse jam gjallë unë” – citohet të ketë deklaruar Arlinda Zekaj në Polici më 10.07.2026.
Siç përshkruan aktakuza, çifti për një kohë të gjatë kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në vitin 2024 Arlinda Zekaj së bashku me djalin e saj ishin kthyer në Kosovë, ku kishin ndërtuar një shtëpi. Ndërsa i akuzuari, sipas deklarimeve në aktakuzë, ka udhëtuar shpesh në relacionet Kosovë-Amerikë.
“Me Jetonin kemi jetuar rreth 11 vite në shtetin e Amerikës, dua të deklarohem se deri sa kam jetuar në Amerikë, Jetoni ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj meje, me çka e kam raportuar në Amerikë dhunë familjare” – citohet të ketë deklaruar para policisë Arlinda Zekaj.
Arlinda Zekaj kishte rrëfyer pranë policisë edhe për kërcënimet që merrte nga ish-bashkëshorti përmes telefonit. Sipas saj, ai kishte kërkuar nga ajo që të largohej nga shtëpia.
“Jetoni më ka detyruar që unë të hyj në kredi dhe unë kam marrë kredi 9 mijë euro dhe që dy vite që jemi duke jetuar Jetoni ushtronte dhunë psikike. Tutje deklaroj se në muajin dhjetor 2025, Jetoni më ka telefonuar dhe më ka thënë dil nga shtëpia se ti s’ki çka lypë aty. Ndërsa unë i kam thënë se ne e kemi ndërtuar shtëpinë së bashku ndërsa Jetoni më ka kërcënuar me fjalët ‘kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime’” – deklaronte Arlinda Zekaj.
Gjatë deklaratave në polici, Arlinda Zekaj kishte treguar se ndihet e rrezikuar nga ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj.
“Po, Jetoni posedon armë zjarri me leje. Jo, asnjëherë nuk më ka kërcënuar me armë, nuk e di ku ndodhet arma. Po, shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni” – citohet të ketë deklaruar Arlinda Zekaj në polici.
Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj, Albert Sylaj, mbrëmjen e datës 25.10.2026 në Vitomiricë. Sylaj ndodhet ende në arrati teksa është shpallur në kërkim nga Policia.




