Boksieri shqiptar Robin Haxhi Krasniqi ka reaguar ashpër pas duelit mes Nelson Hysës dhe Agit Kabayel, duke shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si përfundoi përballja e zhvilluar më 28 Nëntor.

Përmes një reagimi publik, Haxhi Krasniqi ka kritikuar mënyrën e dorëzimit të Hysës, duke e cilësuar atë si një moment të rëndë për boksin shqiptar.
Ai gjithashtu ka ngritur shqetësime për mënyrën se si po ndërtohen disa karriera në boksin profesionist, me kundërshtarë që sipas tij nuk e kanë nivelin e duhur.
“Kurrë nuk jam ndier më i fyer se mbrëmë!
Miq të dashur,
Siç e dini të gjithë, unë nuk jam sportist që flet shumë. Të gjithë karrierën time e kam ndërtuar me shumë punë e përkushtim, duke folur shumë pak apo duke heshtur plotësisht, si për duelet e mia, ashtu edhe për ato të kolegëve të mi, për të cilat kam folur edhe më pak.
Por kësaj radhe nuk kam si të mos flas. E ndiej si obligim ndaj tifozëve të boksit të flas për një realitet dhe një dukuri që ka nisur ta njollosë rëndë boksin shqiptar.
Epilogu i asaj dukurie të pahijshme, për të cilën do të flas në rreshtat në vazhdim, u pa mbrëmë më së miri. Nëse një karrierë në boksin profesionist ndërtohet me kundërshtarë jocilësorë, madje me shumë pikëpyetje edhe sa i përket sinqeritetit të dueleve, një ditë do të vijë koha kur do të përballesh me një kundërshtar të vërtetë. E tani, çfarë?
Atëherë do t’ju ndodhë të gjithëve ajo që i ndodhi mbrëmë kolegut tonë Hysa në ndeshjen me Kabayel. Ajo që pashë unë mbrëmë, më vjen shumë keq ta komentoj.
Ndiej turp si sportist, sepse ne mund të humbim, mund të mos boksojmë bukur, kundërshtari mund të na deklasojë. Çdo gjë mund të ndodhë në ring, por të dorëzohemi në atë mënyrë qesharake, pa u goditur fare, është diçka e rëndë, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi ndaj tifozëve dhe popullit tonë, e aq më tepër ndaj një dite të shenjtë si 28 Nëntori dhe ndaj flamurit tonë.
Andaj, kam një apel për të gjithë të rinjtë: të marrin mësim nga kjo dukuri, të mos fillojnë apo të ndërtojnë karriera joserioze në boks, por t’i qasen këtij sporti fisnik vetëm e vetëm nëse e duan me të vërtetë dhe kanë zemër e shpirt luftarak.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!”, ka shkruar Haxhi Krasniqi./Telegrafi/





