Vedat Muriqi ishte protagonist i fitores së Fenerbahçes ndaj Shakhtar Donetskut, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes dhe duke regjistruar një paraqitje mbresëlënëse.

Sulmuesi kosovar nuk u dallua vetëm për golin vendimtar, por edhe për kontributin e tij në lojën ofensive. Ai ishte futbollisti me më së shumti goditje në ndeshje, gjithsej gjashtë.
Muriqi dominoi edhe në duelet ajrore, duke fituar shtatë të tilla – më shumë se çdo lojtar tjetër në këtë përballje.
Përveç kësaj, sulmuesi preku topin tetë herë në zonën e rreptësisë së kundërshtarit, duke qenë lojtari që u shfaq më së shumti në këtë hapësirë të rrezikshme.
Këto statistika dëshmojnë ndikimin e madh të Muriqit në lojën e Fenerbahçes. Ai jo vetëm që vendosi fatin e ndeshjes me golin e tij, por ishte vazhdimisht kërcënim për mbrojtjen e Shakhtarit. Nga SofaScore u vlerësua me notën 7.2.
Ky ishte një tjetër kontribut vendimtar i sulmuesit kosovar, i cili tashmë ka shënuar dy gola të tillë për Fenerbahçen, duke i sjellë skuadrës gjashtë pikë të plota.
Muriqi po dëshmon se është një prej armëve kryesore të ekipit turk, jo vetëm me golat e tij, por edhe me peshën që kanë ato në rezultatet e skuadrës. /Telegrafi/





