Një zyrtar doganor është goditur në dorë nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në Podujevë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 24 nëntor 2026, rreth orës 13:27, kur ekipi i Doganës së Kosovës kishte ndaluar një automjet për kontroll, me qëllim të verifikimit nëse po transportoheshin mallra të kontrabanduara.
Gjatë këtij veprimi, i dyshuari, mashkull kosovar, ka tentuar të largohet me automjet, duke goditur në dorë një zyrtar doganor.
Pas incidentit, i dyshuari ka arritur të largohet në drejtim të panjohur.
“24.11.2026 – 13:27. Është raportuar se ekipi i Doganës së Kosovës në kryerje të detyrës zyrtare, kanë ndalur automjetin me qëllim të kontrollimit për mall kontrabandë, i dyshuari mashkull kosovar, me automjet në ikje ka goditur në dorë viktimën mashkull kosovar-doganier dhe ka arritur të largohet në drejtim të panjohur”, thuhet në raport. /Telegrafi/





