Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprime në dy barnatore në Prizren, “Menta” dhe “Menta Plus”, në kuadër të rastit që lidhet me dyshimet për tregtimin e produkteve farmaceutike të kontrabanduara.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se zyrtarët e Doganës kanë zbarkuar në këto dy subjekte, pas dyshimeve për produkte farmaceutike që dyshohet se janë futur në treg në mënyrë të kundërligjshme.
Sinjali kishte raportuar më herët për aksionin në dy lokacione në Prizren, ku gjatë aksionit të 5 nëntorit në dy barnatore në Prizren ishin zbuluar depo të fshehta, ku mbaheshin barna pa banderola, në hapësira që nuk i plotësonin kushtet e nevojshme për ruajtjen e produkteve farmaceutike.
Në njërën barnatore dhe depon përkatëse ishin gjetur produkte medicinale pa banderola në vlerë të përafërt prej 8 mijë eurosh, ndërsa në barnatoren tjetër produkte të ngjashme në vlerë rreth 2 mijë euro. Në total, Dogana e Kosovës kishte konfiskuar produkte farmaceutike me vlerë të përllogaritur prej rreth 10 mijë eurosh.
Kontrollet ishin realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në kuadër të rastit, dy persona të dyshuar ishin ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po zhvilloheshin për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





