“Djali i vogël më jep forcë të luftoj” – Rrëfimi prekës i Saranda Jakupit për betejën me kancerin e gjirit në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

“Djali i vogël më jep forcë të luftoj” – Rrëfimi prekës i Saranda Jakupit për betejën me kancerin e gjirit në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

“Djali i vogël më jep forcë të luftoj” – Rrëfimi prekës i Saranda Jakupit për betejën me kancerin e gjirit në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Prej rreth gjashtë vjetësh e gjysmë, Saranda Jakupi po përballet me kancerin e gjirit.

Sponsor 3M Express

Nëntë ndërhyrje kirurgjikale, trajtime të vazhdueshme dhe sfida të mëdha fizike e emocionale janë pjesë e rrugëtimit të saj, të cilin e rrëfeu në podcastin “Shëndeti në rend të parë”.

Jakupi tregoi se përpara diagnostikimit kishte një jetë të qetë dhe nuk e kishte menduar se një ditë do të përballej vetë me këtë sëmundje.

– YouTube www.youtube.com

Ajo kujtoi se simptomat e para ishin therjet në gjirin e majtë, rrjedhja dhe skuqja, të cilat fillimisht i kishte lidhur me një infeksion të mundshëm.

Pas vizitës mjekësore dhe ekzaminimit me ultrazë, iu rekomandua biopsia, rezultati i së cilës konfirmoi diagnozën e kancerit të gjirit.

“M’u duk që m’u shemb krejt ajo ndërtesë”, u shpreh Saranda, duke përshkruar tronditjen që përjetoi kur mori lajmin.

Ajo tregoi se pas diagnostikimit iu desh të merrte vendime të shpejta për trajtimin, ndërsa një ndër shqetësimet më të mëdha ishte mënyra se si do t’ua komunikonte sëmundjen prindërve, bashkëshortit dhe tre djemve të saj.

Saranda rrëfeu se pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale, momenti kur e pa veten në pasqyrë ishte veçanërisht i vështirë.

Më vonë iu nënshtrua edhe ndërhyrjeve të tjera. Sipas saj, deri tani ka kryer nëntë operime, përfshirë ndërhyrjet në të dy gjinjtë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Edhe pse thotë se është përshtatur me ndryshimet fizike, ajo pranon se përballja emocionale vazhdon të jetë e vështirë, veçanërisht pasi sëmundja ka prekur edhe pjesë të tjera të trupit.

Aktualisht, Saranda po vazhdon trajtimin onkologjik dhe tregon se terapia e fundit ka qenë më e rëndë për të sesa trajtimet e mëparshme.

“Djali i vogël është arsyeja më e madhe pse vazhdoj”

Një nga momentet më prekëse të intervistës ishte rrëfimi për mbështetjen që merr nga familja, sidomos nga djali i saj më i vogël.

Saranda tregoi se bashkëshorti, prindërit, familjarët dhe shoqëria kanë luajtur rol të rëndësishëm në përballimin e sëmundjes, por djali i vogël mbetet motivimi i saj më i madh.

“Ai më shtyn dhe më jep vullnet për me luftu sot këtë sëmundje”, tha ajo.

Ajo kujtoi edhe momentet kur djali e përqafon dhe përpiqet t’i japë kurajë, ndërsa pranoi se ai shpesh i mban brenda shqetësimet që përjeton për gjendjen e nënës.

Përveç përvojës personale, Saranda foli edhe për vështirësitë që hasin pacientët me sëmundje onkologjike në Kosovë.

Ajo vlerësoi përkushtimin e stafit shëndetësor në Onkologji, por theksoi se nevojitet mbështetje më e madhe institucionale, veçanërisht për sigurimin e barnave dhe lehtësimin e shpenzimeve.

Saranda tregoi rastin e një pacienteje nga Malisheva, e cila, sipas rrëfimit të saj, kishte ardhur për trajtim, por nuk kishte mundësi financiare të blinte një injeksion. Pacientes i kishin dalë në ndihmë njerëzit e pranishëm.

“Kjo të shkatërron me emocion, ta shkatërron trupin, ta shkatërron xhepin”, u shpreh ajo, duke përshkruar ndikimin e sëmundjes në jetën e pacientëve.

Jakupi kërkoi gjithashtu që shërbimet onkologjike të jenë më të qasshme edhe jashtë Prishtinës, për të zvogëluar barrën e udhëtimeve të vazhdueshme.

Një tjetër temë që Saranda ngriti ishte rëndësia e komunikimit ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Ajo tregoi se shpjegimet e qarta për gjendjen shëndetësore, terapinë dhe efektet anësore e kanë ndihmuar të ndihet më e përgatitur emocionalisht.

Sipas saj, pacientët nuk kanë nevojë vetëm për trajtim mjekësor, por edhe për kohë, mirëkuptim dhe mbështetje gjatë konsultave.

“Ma mirë kryej 20 pacientë, po qysh duhet, jo dyzet”, ishte mesazhi i saj për nevojën e një komunikimi më cilësor.

Ky podcast mbështetet nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”. /Telegrafi/

Lexo edhe

Djali i Trumpit komenton humbjen e Vuçiqit

Djali i Trumpit komenton humbjen e Vuçiqit

Mbi 132 mijë euro inventar për pesë institucione arsimore në Kamenicë

Mbi 132 mijë euro inventar për pesë institucione arsimore në Kamenicë

Uganda kufizon udhëtimet, ndërsa një rast me Ebola nga Nigeria evakuohet në Evropë

Uganda kufizon udhëtimet, ndërsa një rast me Ebola nga Nigeria evakuohet në Evropë

“Djali i vogël më jep forcë të luftoj” – Rrëfimi prekës i Saranda Jakupit për betejën me kancerin e gjirit në podcastin “Shëndeti në rend të parë” | Momenti