Një grua në Ferizaj ka përfunduar me lëndime trupore pasi është hedhur nga një veturë në lëvizje, duke pretenduar se ishte frikësuar nga veprimet e bashkëshortit të saj. Ngjarja ka ndodhur pikërisht ditën kur burri u dënua me një vit burgim për raste të mëparshme të dhunës në familje, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është S.K., rreth 44 vjeç, ndërsa bashkëshortja e tij, Xh.K., është rreth 39 vjeçe.
Ngjarja është raportuar të enjten, më 19 nëntor, rreth orës 09:00, në Ferizaj.
Sipas informacioneve të siguruara, çifti kishte pasur të njëjtën ditë një seancë gjyqësore lidhur me raste të mëparshme të dhunës në familje.
Gjatë rrugës nga fshati Greme drejt Ferizajt, sipas deklarimit të gruas, bashkëshorti e kishte kapur dhe pickuar në këmbë.
Ajo ka deklaruar se më pas ai kishte hyrë me veturë në një rrugicë në zonën e rrugës “Gursel dhe Bajram Sylejmani”.
E frikësuar nga situata, gruaja ka deklaruar se e kishte hapur derën dhe ishte hedhur nga vetura derisa ajo ishte ende në lëvizje.
Si pasojë e rënies në tokë, ajo ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor.
Pas ngjarjes, gruaja është intervistuar nga Policia në prani të zyrtares për mbrojtjen e viktimave.
Por bashkëshorti ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ai ka mohuar se kishte ushtruar dhunë ndaj gruas.
Sipas deklarimit të tij, mes tyre kishte pasur një mosmarrëveshje lidhur me një kafe, ndërsa në momentin kur gruaja kishte tentuar të hidhej nga vetura, ai e kishte kapur në këmbë për ta penguar të binte.
Ai ka pretenduar se më pas e kishte ndalur automjetin dhe gruaja kishte zbritur.
Ndërkohë, një zhvillim tjetër i rëndësishëm lidhet me vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Sipas burimeve të Sinjalit, në seancën e mbajtur më 19 nëntor, Gjykata e ka dënuar burrin me një vit burgim për rastet e dhunës në familje të muajve maj dhe korrik 2026.
Pas intervistimit për incidentin e ri, ai është dërguar për vuajtjen e dënimit të shqiptuar nga Gjykata.
Rrethanat e ngjarjes së fundit mbeten objekt i procedurave përkatëse, ndërsa deklarimet kundërshtuese të bashkëshortëve do të vlerësohen nga organet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





