Përmes shoqatës KIF Liria dhe angazhimit të Xhafer Balajt, nga Suedia është nisur një donacion me pajisje shkollore për Komunën e Malishevës, me qëllim të përmirësimit të kushteve në institucionet arsimore dhe mbështetjes së nxënësve.

Diaspora shqiptare në Suedi po vazhdon të dëshmojë përkushtimin dhe solidaritetin ndaj vendlindjes. Kësaj radhe, përfituese e një donacioni me pajisje shkollore është Komuna e Malishevës.
Ky donacion është organizuar nga shoqata KIF Liria, përmes veprimtarit humanitar Xhafer Balaj, në bashkëpunim me Komunën e Växjö-së në Suedi, shkruan Telegrafi.
Ndihma synon të kontribuojë në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe pajisjen e institucioneve arsimore me materiale të nevojshme për procesin mësimor.
Xhafer Balaj, përmes angazhimit të tij shumëvjeçar, ka ndërtuar një mision të rëndësishëm humanitar, duke bërë të mundur dërgimin e dhjetëra donacioneve nga Suedia drejt Kosovës dhe trevave shqiptare.
Deri më tani, përmes KIF Lirisë janë organizuar 59 kamionë me ndihma, duke dëshmuar se solidariteti i diasporës nuk njeh kufij.
Një kontribut i tillë është shembull i mirë i lidhjes së fortë që bashkatdhetarët ruajnë me vendlindjen dhe i rolit të tyre në mbështetjen e arsimit dhe zhvillimit të komuniteteve në Kosovë./Telegrafi/




