Diaspora shqiptare në Zvicër do të mblidhet të martën, më 27 tetor, në Cyrih, për të shprehur mbështetjen e saj për protestat studentore në Shqipëri.

Tubimi është paralajmëruar të mbahet në sheshin Europaplatz, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, ku bashkatdhetarët ftohen të bëhen pjesë e kësaj nisme në shenjë solidariteti me studentët dhe protestuesit në Shqipëri, shkruan Telegrafi.
Thirrja për pjesëmarrje është bërë përmes një postimi që u drejtohet shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, me mesazhin se kundërshtimi i dhunës dhe mbështetja për protestat studentore duhet të shprehen edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
“Pushteti nuk mbahet me dhunë!”, thuhet në mesazhin e organizatorëve, të cilët u bëjnë thirrje bashkatdhetarëve që ta shpërndajnë njoftimin dhe t’u bashkohen protestës.
Përmes këtij tubimi, diaspora synon të shprehë solidaritetin me të rinjtë që po protestojnë në Shqipëri dhe të përcjellë mesazhin se zëri i tyre duhet të dëgjohet./Telegrafi/




