Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjakovë, Rahovec, Vushtrri dhe Zubin Potok.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në Prishtinë është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar fizikisht të dashurën e tij. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në një rast tjetër në Prishtinë, një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj, i cili jeton jashtë vendit, i kishte dërguar asaj dhe familjarëve mesazhe kërcënuese përmes rrjeteve sociale. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është futur në kërkim të policisë.
Në Fushë Kosovë, një burrë ka raportuar se ishte viktimë e dhunës psikike nga djali i tij. Rasti po hetohet në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Ferizaj, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëjetuesi i saj pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari nuk është takuar nga policia dhe gjendet në arrati.
Në Gjakovë janë raportuar tri raste. Në rastin e parë, një grua ka kërkuar urdhër mbrojtës pasi kishte marrë mesazhe kërcënuese nga djali i saj, i cili ndodhet jashtë vendit. Edhe në këtë rast, i dyshuari është futur në kërkim të policisë.
Në rastin e dytë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht vëllain e tij, ndërsa në rastin e tretë, një grua ka raportuar se i dashuri i saj, për shkak të xhelozisë, vazhdimisht po i shkaktonte dhunë psikike. Ajo është kthyer te familja e saj, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.
Në Rahovec, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht babanë e tij. Të dy kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Vushtrri, ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Gjatë arrestimit të tij, policia ka sekuestruar dy pistoleta, një pushkë ajrore dhe shtatë fishekë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Zubin Potok, një grua është fyer dhe kanosur përmes rrjeteve sociale nga ish-bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Policia ka bërë të ditur se për rastet është njoftuar prokurori, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Burimi: Dukagjini




