Pas arrestimit të katër personave të tjerë në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, në mesin e tyre edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati i saj, në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova janë bërë publike detaje të reja lidhur me dyshimet për rolin e tyre në këtë rast.

Gazetari korespodent Valdrin Daci, nga Peja, ka thënë se ish-vjehrra e Arlindës, dyshohet të ketë qenë e pranishme në dhomën ku është kryer vrasja, njofton Klankosova.tv.
Sipas raportimit, ajo dyshohet se fillimisht kishte tentuar t’i devijonte hetimet, duke deklaruar se Arlinda e kishte shtyrë dhe se kishte mbetur pa ndjenja.
Megjithatë, sipas provave që thuhet se i ka siguruar Prokuroria, ish-vjehrra dyshohet të ketë qenë në vendin e krimit, përkatësisht në dhomën e gjumit. Për këtë, Prokuroria raportohet se posedon edhe pamje nga kamerat e sigurisë.
E pyetur nga gazetarët nëse ndihej fajtore, ajo ishte përgjigjur: “Dihet kush e ka kryer krimin”.

Dyshime për përfshirje ka edhe ndaj ish-kunatit të Arlindës, i cili thuhet se kishte ndihmuar në kryerjen e veprës.
“Më 23 tetor ai e kishte përcjellë Arlindën në qytet dhe më pas i kishte dërguar ish-vjehrrës së saj një video të Arlindës”, janë detajet e bëra publike në emision.
Ndërkohë, dy persona të tjerë dyshohet se kanë ndihmuar të dyshuarit pas kryerjes së veprës.
Të katër personat e arrestuar kanë dalë para gjykatës, ndërsa pritet të merret vendimi lidhur me masën ndaj tyre., transmeton Klankosova.tv.





