Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim në Kuvendin e Kosovës, për shkak të mungesës së kuorumit.

Si pasojë, komisioni nuk ka mundur të vazhdojë me shqyrtimin e pikave të parapara në rendin e ditës.
Kryetari i këtij komisioni, Fahrush Rexhepi, në një prononcim për Ekonomia Online u shpreh se anëtarët e kanë marrë me kohë ftesën, mirëpo shtoi se edhe moskompletimi i anëtarëve nga Lista Serbe e bën më të vështirë situatën.
“Nuk e di, do të thotë, prej anëtarëve të komisionit të cilët kanë pranuar ftesat me kohë për mbledhjen e komisionit për të drejtat e komuniteteve.Nuk kemi marrë ndonjë arsyetim, përveç se mungojnë. Komisioni, si Komision për Komunitete, ka pak a shumë vështirësi për të funksionuar me faktin se ende komisioni nuk është kompletuar. Mungojnë katër anëtarë të komunitetit serb, të cilët, do të thotë, ende nuk i kanë kaluar procedurat në seancë parlamentare”, tha ai.
“Dhe gjithherë në start kemi katër anëtarë të komisionit në mungesë. Pastaj, nëse mungon ndonjë tjetër, sigurisht se, do të thotë, kuorumi bie. Domethënë, nuk kemi kuorum, edhe për shkak të mos-ekzistencës së kuorumit, natyrisht mbledhja nuk mund të vazhdojë. Ndonjëherë disa anëtarë të komisionit mungojnë ndoshta edhe me arsye, ose mund të mungojnë vetëm në fillim e pastaj i bashkëngjiten mbledhjes, për shkak se janë anëtarë edhe të komisioneve të tjera dhe ka mundësi që mbledhjet nëpër komisione ku janë ata, të zgjasin më tepër sesa është parashikuar. Po, problemi nuk është me ata që janë këtu, se ata zakonisht ndërkohë bashkëngjiten, por problemi është për ata anëtarë të komisionit të cilët nuk janë prezent fare”, tha Rexhepi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




