Letra përmes së cilës Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, vetëm tri ditë para se të vritej, është vendosur të hënën në sheshin e Pejës, në shenjë proteste dhe kërkese për përgjegjësi institucionale.

“Deri kur?” është mbishkrimi mbi letrën, në të cilën 49-vjeçarja kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj dhe kishte kërkuar masa urgjente nga organet përgjegjëse.
“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Zekaj në letrën drejtuar Prokurorisë në Pejë.
Letra u bë publike pas vrasjes së saj, më 25 tetor. Zekaj u vra me sëpatë në mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për rastin është kunati i saj, i cili, sipas autoriteteve, ndodhet në arrati.
Sipas raportimeve, vrasja ndodhi pak orë pasi ajo kishte raportuar në polici ish-bashkëshortin për kanosje, ndërsa tri ditë më herët kishte kërkuar mbrojtje përmes letrës drejtuar prokurorisë.
Në shenjë proteste ndaj rastit, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka realizuar të hënën edhe grafite në Pejë, me mesazhe kundër dhunës ndaj grave dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
“Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë!”, “Komuna bashkëfajtore në vrasjen e grave!”, “Prokuroria i ka durt me gjakun e Arlindës!” dhe “Nuk ka qetësi pa drejtësi!” janë disa nga mesazhet e vendosura në hapësirat publike.
Kolektivi ka bërë thirrje për protestë të mërkurën në Prishtinë, duke kërkuar mobilizim kundër dhunës ndaj grave dhe drejtësi për Zekajn e gratë e tjera të vrara.
“Nga Peja thërrasim për organizim e revoltë kombëtare nga kjo e mërkurë e tutje për jetë e siguri për gratë e gjalla, e drejtësi për Arlinda Zekajn e çdo grua të vrarë. Ky shtet nuk mund të ketë qetësi pa sigurinë e grave!”, thuhet në reagimin e Kolektivit.
Sipas të dhënave të përmendura në raportimet për rastin, gjatë vitit 2026 në Kosovë janë vrarë tetë gra. /Telegrafi/




