Sipas njoftimit të Kuvendit, ky sesion, i organizuar nga Bundestagu dhe Bundesrati gjerman, mbledh parlamentarë nga vendet anëtare të NATO-s dhe parlamentet partnere për të diskutuar sfidat kryesore të sigurisë euroatlantike, forcimin e mbrojtjes kolektive, parandalimin strategjik dhe përshtatjen e Aleancës ndaj mjedisit të ri të sigurisë.
“Pjesëmarrja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në këtë forum përbën një mundësi të rëndësishme për thellimin e diplomacisë parlamentare, shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe avancimin e bashkëpunimit me parlamentet e vendeve aleate dhe partnere”, thuhet në njoftim.

Kuvendi i Republikës së Kosovës gëzon statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që nga viti 2024. Pjesëmarrja në punimet e saj kontribuon në forcimin e dialogut parlamentar dhe të angazhimit të Kosovës në çështjet e sigurisë euroatlantike, në përputhje me orientimin e saj strategjik drejt integrimit në NATO.
Punimet e sesionit do të vijojnë me diskutimet në komisione dhe seancën plenare të 23 nëntorit, ku pritet të trajtohen prioritetet strategjike të Aleancës dhe sfidat e sigurisë ndërkombëtare. Gjatë këtyre punimeve delegacioni do të ketë edhe disa takime bilaterale.
Burimi: RTKLive





