Reperi i njohur kosovar, Capital T, ditë më parë shprehu publikisht mbështetjen për protestat në Shqipëri, duke u bërë thirrje mediave në Kosovë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimeve dhe zërit të qytetarëve që po protestojnë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti vuri në pah rëndësinë e gazetarisë së pavarur dhe raportimit pa censurë, duke theksuar se mediat kanë përgjegjësi të informojnë publikun për çështjet me interes të përgjithshëm.
Ndërkohë, pas këtij reagimi, portali shqiptar Dosja.al ka publikuar një audio-incizim të një telefonate mes reperit dhe një personi të identifikuar si oficer i Policisë së Tiranës.
Sipas Dosja.al, e cila pretendon se e ka siguruar incizimin, oficeri Niko Kurti e ka telefonuar artistin për ta pyetur se ku ndodhej dhe kur planifikonte të kthehej në Tiranë.
Gjatë bisedës, Capital T, emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi, i tregon bashkëbiseduesit se ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ende nuk ka një datë të caktuar për kthimin e tij.
Në një moment të telefonatës, oficeri i kërkon reperit të mos e mbyllë telefonin dhe më pas e pyet nëse është Trim Ademi.
Sipas përmbajtjes së publikuar nga Dosja.al, oficeri i thotë artistit se dëshiron ta pyesë për një çështje të caktuar, por se biseda duhet të zhvillohet personalisht dhe jo përmes telefonit.
Në fund të telefonatës, ai i kërkon Capital T-së që, pasi të kthehet nga Amerika, ta kontaktojë sërish në numrin nga i cili po e telefononte dhe të paraqitet në vendin e tij të punës për të biseduar nga afër.
Publikimi i kësaj telefonate vjen pas reagimit të reperit në mbështetje të protestave në Shqipëri. Megjithatë, nga përmbajtja e bërë publike nuk mund të përcaktohet në mënyrë të pavarur nëse kontakti i oficerit me artistin ka lidhje të drejtpërdrejtë me qëndrimin e tij publik për protestat. /Telegrafi/




