Katër shtetas iranianë janë dëbuar nga Bosnja dhe Hercegovina nën dyshimet për veprimtari spiunazhi, ndërsa tre prej tyre mbanin status diplomatik në Ambasadën e Iranit në Sarajevë. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, pas raportimit fillestar nga agjencia kroate e lajmeve Hina, e cila iu referua portalit hulumtues Istraga.ba transmeton Sinjali.

Sipas raportimeve, të katër personat janë larguar nga Bosnja të mërkurën, pasi Konakoviq nënshkroi vendimin për shpalljen e tyre persona non grata dhe urdhëroi dëbimin e tyre. Vendimi erdhi pas informacioneve të siguruara nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjës.
Lidhur me rastin, ministri Konakoviq ka deklaruar për portalin Raport se bëhet fjalë për çështje sigurie dhe se roli i ministrisë ka qenë përcjellja e kërkesës, duke shtuar se komentet mbeten në dorë të agjencive të sigurisë.
Mes të dëbuarve raportohet të jenë Hossein Mahdian Fard, këshilltar i tretë në Ambasadën iraniane në Sarajevë, si dhe atashetë Morteza Fazali dhe Ehsan Sajjadi Monazzah. Ndërkaq, statusi zyrtar në Bosnjë i personit të katërt, Seyed Yaser Seyed Mohammad, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas të dhënave të agjencive të sigurisë, Hossein Mahdian Fard dyshohet se ka qenë pjesë e Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit, institucion që vlerësohet të ketë rreth 30 mijë pjesëtarë, vepron drejtpërdrejt nën autoritetin e liderit suprem të Iranit dhe është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut, aktivitete të paligjshme të inteligjencës dhe operacione të fshehta jashtë vendit. Ai ishte akredituar në Sarajevë nga mesi i vitit 2025, pas dhjetë vjetësh shërbim në diplomacinë iraniane në Gjermani.
Ndërsa, sipas agjencive të inteligjencës së Bosnjës, tre shtetasit e tjerë të dëbuar dyshohet se kishin lidhje me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





