Danimarka paralajmëron rishikimin e programit të trajnimit për gardianët kosovarë, pas dyshimeve se dy prej tyre kanë ushtruar dhunë ndaj një të burgosuri në Kopenhagë.

Gardianët nga Kosova trajnohen në Danimarkë në kuadër të marrëveshjes mes dy shteteve, e cila parasheh transferimin e deri 300 të burgosurve nga burgjet daneze në institucionin korrektues të Gjilanit.
Incidenti ka ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si do të parandalohet dhe hetohet keqtrajtimi në burgun e Gjilanit, ku përgjegjësitë do të ndahen mes Kosovës dhe Danimarkës.
Shërbimi Korrektues i Danimarkës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se incidenti ka ndodhur më 5 tetor, në burgun Vestre në Kopenhagë, dhe se rasti i është referuar policisë daneze.
“Ky institucion nuk komenton raste individuale, por akuzat për dhunë ndaj të burgosurve janë serioze dhe janë ndërmarrë hapat e nevojshëm”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Sipas agjencisë daneze të lajmeve Ritzau, dy gardianët kosovarë, të moshave 24 dhe 29 vjeç, dyshohen se kanë goditur me grushte një të burgosur brenda qelisë së tij.
Njëri dyshohet se e ka shtyrë të burgosurin mbi shtrat dhe e ka goditur një herë në fytyrë, ndërsa tjetri disa herë në fytyrë dhe trup.
Të dy i kanë mohuar akuzat.
Ata u arrestuan më 6 tetor, por gjykatat daneze refuzuan kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e tyre, duke vlerësuar se nuk ekzistonte rrezik i konsiderueshëm arratisjeje.
Vendimi u la në fuqi më 9 tetor nga Gjykata e Lartë e Danimarkës Lindore.
Hetimet për rastin vazhdojnë dhe nuk ka një vendim përfundimtar gjyqësor.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) i tha REL-it se nuk mund të japë informacione, pasi rasti është nën hetim.
Nuk dihet nëse dy zyrtarët janë pezulluar nga detyra, nëse vazhdojnë të qëndrojnë në Danimarkë apo nëse ndaj tyre janë ndërmarrë masa disiplinore.
Çfarë do të ndryshojë në trajnim?
Në përgjigjen për REL-in, Shërbimi Korrektues i Danimarkës tha se do të rivlerësojë përgatitjen profesionale të gardianëve kosovarë.
“Tani do ta rishikojmë programin e trajnimit për zyrtarët kosovarë që po kryejnë praktikën në Danimarkë, për t’u siguruar që trajnimi të jetë i cilësisë së lartë dhe t’i përmbushë plotësisht kërkesat tona”, thuhet në përgjigje.
Trajnimi përfshin njohjen me rregullat daneze, menaxhimin e konflikteve dhe praktikat e punës në burgje.
Sipas autoriteteve daneze, trajnimet e ardhshme pritet të kombinojnë mësimin teorik dhe praktik në Kosovë dhe në Danimarkë.
Drejtoresha e Shërbimit Korrektues të Danimarkës, Ina Eliasen, tha për Ritzau-n se institucioni kishte pasur përvoja të mira me gardianët kosovarë dhe se priste që incidenti të ishte rast i izoluar.
Megjithatë, sipas saj, ngjarja ka nxitur nevojën për të shqyrtuar nëse trajnimi dhe praktika profesionale janë të mjaftueshme.
Eliasen sqaroi se gardianët kosovarë punojnë përkrah kolegëve danezë edhe pas përfundimit të programit gjashtëmujor.
Dy zyrtarët e dyshuar për dhunë e kishin përfunduar këtë program dhe ishin në detyrë në kohën e incidentit.
Ajo tha se rasti do të merret parasysh edhe gjatë hartimit të një mekanizmi të posaçëm mbikëqyrjeje për burgun e Gjilanit, i cili ishte planifikuar përpara incidentit.
Autoritetet daneze nuk kanë specifikuar se çfarë ndryshimesh konkrete do të sjellë rishikimi.
Sipas Shërbimit Korrektues të Danimarkës, deri më tani, 34 gardianë kosovarë e kanë përfunduar trajnimin në Danimarkë, ndërsa për burgun e Gjilanit parashihet angazhimi i 200 gardianëve.
Autoritetet daneze nuk kanë specifikuar sa të tjerë pritet të trajnohen para transferimit të të burgosurve të parë.
Kush mban përgjegjësi në rast të keqtrajtimit?
Ndërsa incidenti në Kopenhagë hetohet nga autoritetet daneze, një rast i ngjashëm në burgun e Gjilanit do të trajtohej ndryshe.
Atje, ndonëse do të zbatohen rregullat daneze, përgjegjësia për hetimin dhe ndjekjen penale të gardianëve kosovarë, si rregull, do t’u takojë autoriteteve të Kosovës.
Këtë e përcakton neni 24 i marrëveshjes, i cili parasheh përjashtime të caktuara për personelin danez, pas konsultimeve mes dy shteteve.
Burgu do të jetë nën drejtimin e përgjithshëm të një guvernatori danez, të mbështetur nga ekipe operative dhe administrative, përfshirë dy zëvendësguvernatorë. Ndërsa, një drejtor i emëruar nga Kosova do të ketë përgjegjësi për menaxhimin e objektit dhe personelit vendas.
Ankesat që lidhen me ekzekutimin e dënimeve daneze, do të trajtohen nga autoritetet e Danimarkës, përfshirë gjykatat e saj.
Kjo ndarje e përgjegjësive ka ngritur shqetësime te Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), i Këshillit të Evropës.
Në një raport të dhjetorit 2024, Komiteti vlerësoi se marrëveshja ngre çështje serioze, përfshirë heqjen dorë pjesërisht nga juridiksioni danez për vepra penale që, në parim, duhet të mbeten përgjegjësi e Danimarkës.
CPT-ja ngriti gjithashtu shqetësime për përputhshmërinë e marrëveshjes me dy parime themelore të Konventës së Këshillit të Evropës për Transferimin e Personave të Dënuar dhe kërkoi sqarime nga autoritetet daneze.
Marrëveshja obligon drejtuesin danez të burgut të bashkëpunojë me autoritetet kosovare gjatë hetimeve penale dhe parasheh respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Danimarkës për trajtimin e të burgosurve.
Por, se si do të funksionojë kjo ndarje e përgjegjësive në rastet e dyshimeve për keqtrajtim, mbetet të shihet pas hapjes së burgut.
Kush i garanton standardet daneze në Kosovë?
Marrëveshja parasheh disa mekanizma për mbikëqyrjen e burgut të Gjilanit.
Organizmat ndërkombëtarë për parandalimin e torturës do të kenë të drejtë të kryejnë vizita monitoruese, edhe pa paralajmërim.
Edhe Ombudsmani Parlamentar i Danimarkës do të mund të inspektojë burgun, të shqyrtojë ankesa dhe të hetojë veprimtarinë administrative që zhvillohet sipas ligjit danez.
Sipas një sqarimi të Ministrisë daneze të Drejtësisë për Parlamentin, këto kompetenca përfshijnë edhe veprimet e gardianëve kosovarë kur ata zbatojnë rregullat daneze.
Megjithatë, Ombudsmani danez nuk mund të hetojë drejtpërdrejt veprimet e autoriteteve kosovare, si trajtimin e të burgosurve në spitalet e Kosovës.
Ai mund të shqyrtojë nëse autoritetet daneze kanë përmbushur detyrimet e tyre në këto raste.
Kufizimet e tilla kanë ngritur pikëpyetje edhe tek organizatat për të drejtat e njeriut.
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), kërkoi garanci për mbikëqyrje të pavarur dhe efektive të kushteve dhe trajtimit të të burgosurve në Gjilan.
“Kush do t’i monitorojë kushtet dhe trajtimin e këtyre të burgosurve? Si do të sigurohet monitorimi i pavarur? Si do të ndikojë kjo marrëveshje në standardet e krijuara në institucionet e SHKK-së dhe a mund të shmanget krijimi i standardeve të dyfishta mes të burgosurve nga Danimarka dhe të burgosurve kosovarë?”, pyeti Rushiti.
Ajo foli në një konferencë të organizuar nga QKRMT-ja më 29 tetor, kushtuar sfidave ligjore, të drejtave të njeriut dhe zbatimit të marrëveshjes.
Sipas marrëveshjes, në burgun e Gjilanit do të zbatohen rregullat daneze për kushtet e qëndrimit, kujdesin shëndetësor, vizitat dhe aktivitetet e të burgosurve.
Synimi i autoriteteve daneze është që kushtet të jenë në thelb të njëjta me ato në burgjet e Danimarkës.
Por, kjo ka nxitur shqetësime se brenda Kosovës mund të krijohen kushte të ndryshme trajtimi për të burgosurit.
Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), vlerëson se marrëveshja mund të krijojë pabarazi mes të burgosurve që vijnë nga Danimarka dhe atyre që vuajnë dënimet në institucionet e tjera të Kosovës.
“… ndërsa të burgosurit e tjerë në Kosovë trajtohen shumë më dobët, ndonëse janë të burgosur shumë më të disiplinuar dhe më socialë”, thotë ai për REL-in.
Në konferencën e QKRMT-së, zëvendësministri i Drejtësisë në Kosovë, Genc Nimoni, theksoi përgjegjësinë e institucioneve për respektimin e të drejtave të të burgosurve.
“Ekzekutimi i dënimit nuk e heq detyrimin për të respektuar dinjitetin njerëzor. Kushtet e qëndrimit, qasja në kujdes shëndetësor, siguria dhe mbrojtja nga trajtimi çnjerëzor ose poshtërues janë detyrime që institucionet tona duhet t’i përmbushin”, tha Nimoni.
Kujdesi shëndetësor dhe largësia nga familja
Përveç kushteve të qëndrimit, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime edhe për kujdesin shëndetësor dhe kontaktet familjare.
Therese Maria Rytter, drejtoreshë ligjore në organizatën daneze DIGNITY, identifikoi tri rreziqe kryesore gjatë konferencës së 29 tetorit: qasjen në kujdes shëndetësor, kufizimin e kontakteve familjare dhe mundësinë e keqtrajtimit.
Sipas saj, secili i burgosur duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi individual mjekësor përpara transferimit. Personat me nevoja të veçanta shëndetësore nuk duhet të dërgohen në Kosovë nëse atje nuk mund të marrin trajtimin e nevojshëm.
Marrëveshja parasheh krijimin e një klinike brenda burgut të Gjilanit, me personel shëndetësor të licencuar dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve daneze.
Për trajtimet që nuk mund të ofrohen aty, të burgosurit, me rregull, do të dërgohen në Danimarkë. Përjashtim bëjnë rastet urgjente dhe ato që kërkojnë shtrim në spital deri në tri net, të cilat mund të trajtohen në Kosovë.
Por, përtej kujdesit shëndetësor, një tjetër shqetësim është largësia nga familjarët.
“Nëse familja jeton në Danimarkë, ndërsa i burgosuri vendoset në një burg në Kosovë, si do të realizohen vizitat javore? Në praktikë, kjo nuk do të jetë e mundur. Kjo përbën një kufizim të së drejtës për jetë familjare”, tha Rytter.
Transferimi shtyhet
Përderisa vazhdojnë diskutimet për standardet dhe përgjegjësitë, zbatimi i marrëveshjes është përballur edhe me vonesa.
Sipas autoriteteve daneze, të burgosurit e parë pritet të transferohen në Gjilan në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028.
Ky afat është më i vonshëm se ai i paralajmëruar më herët nga autoritetet kosovare.
Në vitin 2025, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i kishte thënë REL-it se transferimi pritej në prill të vitit 2027.
Sipas Shërbimit Korrektues të Danimarkës, shtyrja është shkaktuar nga vonesat në punimet për rindërtimin e burgut, të cilat kryhen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
REL-i ka kërkuar sqarime nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Marrëveshja, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në maj të vitit 2024, parasheh vënien në dispozicion të kapaciteteve për 300 të burgosur, fillimisht për pesë vjet, me mundësi vazhdimi edhe për pesë vjet të tjerë.
Sipas marrëveshjes, Danimarka do t’i paguajë Kosovës deri në 15 milionë euro në vit për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit.
Pagesa e plotë varet nga gatishmëria e institucionit për të strehuar 300 të burgosur sipas standardeve daneze.
Marrëveshja parasheh edhe një pagesë fillestare prej pesë milionë eurosh për përgatitjen e burgut.
Por, përpara se të mbërrijnë të burgosurit e parë, qartazi, mbetet ende punë për përgatitjen e burgut dhe trajnimin e personelit.




