Alexander Volkov vazhdon të kërkoj mundësinë për titullin e peshës së rëndë në UFC, pasi mposhti Rizvan Kuniev me vendim unanim në UFC 333, në Abu Dhabi.

Fitorja e tretë radhazi e mban rusin në garën për majën e divizionit, por Dana White nuk dha asnjë garanci se sfida e radhës do të jetë për brezin e kampionit.
Historia e Volkovit u bë një nga temat më të diskutuara të javës, pas një shkëmbimi të pazakontë në konferencën për shtyp para eventit. I pranishëm mes gazetarëve, luftëtari rus e pyeti Dana White se çfarë duhej të bënte për të siguruar një duel për titull. White fillimisht e pyeti për rekordin, moshën dhe përvojën e tij, ndërsa më vonë këmbënguli se e kishte njohur Volkovin gjatë gjithë kohës dhe se po priste që ai ta përfundonte shakanë.
Pas fitores ndaj Kunievit, Volkov iu rikthye së njëjtës temë. “Sapo po e filloj karrierën time profesionale dhe kam rreth 20 luftëra në UFC. Çfarë duhet të bëj për të marrë një duel për titull? Përgjigjmu, të lutem”, deklaroi ai me ironi.
I pyetur në konferencën pas UFC 333 nëse paraqitja e rusit ishte e mjaftueshme për t’i dhënë një shans për titull, White u përgjigj shkurt: “Ai pati një paraqitje të mirë sonte dhe do të shohim çfarë ndodh më pas.” Kështu, pavarësisht fitores, UFC nuk e konfirmoi ende hapin e radhës për peshën e rëndë, edhepse Ciryl Gane më 14 nëntor do ta mbroj titullin kundër Josh Hokit në UFC 334 në ‘MSG’, New York.
Ndërkohë, organizata shpërndau edhe bonuset e performancave për UFC 333. Alexander Volkanovski dhe Lone’er Kavanagh fituan nga 100 mijë dollarë për paraqitjet e tyre, pas përfundimeve me TKO ndaj Movsar Evloevit dhe Ramazan Temirov. Petr Yan dhe Merab Dvalishvili u shpërblyen gjithashtu me nga 100 mijë dollarë secili për çmimin “Fight of the Night”, pas pesë raundeve të luftës për titullin në peshat deri 61kg (Bantamweight).
Përveç katër fituesve të bonuseve kryesore, Kody Steele, Abus Magomedov, Abdul Rakhman Yakhyaev, Dominick Reyes dhe Aaron Pico morën nga 25 mijë dollarë për përfundimet e tyre./Klankosova.tv




