Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, është shprehur tejet i zhgënjyer me reagimin e skuadrës së tij pas pranimit të tre golave në përballjen e zhvilluar në Drenas.

Ndonëse klinasit kishin treguar stabilitet të lartë në mbrojtje duke pësuar vetëm gjashtë gola në 10 ndeshjet e para, kësaj radhe pësuan tre herë brenda një takimi, me dy shpërqendrime fatale në minutat 47 dhe 49 të ndeshjes.
I pyetur për këtë rënie të theksuar defanzive, timonieri i Dukagjinit theksoi për Klan Kosova se mungesa e fokusit ishte faktori kryesor.
Përpos koncentrimit, pa diskutim që nuk shpjegohet ndryshe. Sidomos fillimi i pjesës së dytë, pavarësisht golit të parë që pësuam, ku normalisht ishte meritë edhe e kundërshtarit. Në pjesën e dytë kërkuam nga djemtë që të jenë shumë të vëmendshëm, sidomos në dhjetëminutëshin e parë, e pastaj të shohim në qoftë se kishim mundësi të bëjmë diçka më shumë përpara. Mirëpo, goli i dytë dhe goli i tretë pothuajse janë gola të falur”, tha Dallku.
Tekniku vuri në dukje se ngarkesa nga xhiroja paraprake ka lënë pasoja të dukshme te futbollistët e tij, si në rrafshin fizik, ashtu edhe në atë psikologjik.




