Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për rastin e vrasjes në Aktash, reagimi i të akuzuarit Salih Sekiraqa gjatë elaborimit të përgjimeve, bëri që sesioni i paradites i seancës së të hënës të ndërpritet për të vazhduar pasdite.

Në këtë rast, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, akuzohen lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024.
“Zonja gjykatëse a ka mundësi me më çu në qeli, nuk muj me nejt mo këtu, ja, ja, nuk muj me nejt mo këtu, ju kisha lutë çomni në qeli… asnjë minutë nuk rri mo këtu”, tha i akuzuari Sekiraqa, raporton Betimi për Drejtësi.
Ky reagim i të akuzuarit Sekiraqa erdhi pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Korab Gashi kërkoi që të krahasohen fjalët e të mbrojturit të tij të dëgjuara në përgjime, me ato që u diktuan për procesverbal nga mbrojtësja e të akuzuarit Robert Llumnica.
“Nuk rri mo këtu, s’ka kushte, veç ai po fol, ai po vetet, ai krejt. S’ka kushte këtu… veç ai po vetet, ai po kep, ai po pren… mashtrues o ky, ky është shpifës, ky është pedofil”, tha i akuzuari Sekiraqa.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, e ndërpreu sesionin e paradites të këtij shqyrtimi.
Seanca do të vazhdojë me sesionin e pasdites. /Klankosova.tv





